Politike15 Maj 2023, 17:54

Opozita humbi në Kamëz, Arjan Hoxha: Nuk e njoh rezultatin, të ripërsëriten zgjedhjet

Shkruar nga Pamfleti
Opozita humbi në Kamëz, Arjan Hoxha: Nuk e njoh rezultatin, të
Arjan Hoxha

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Kamëz, Arjan Hoxha ka reaguar pas humbjes në garën e 14 Majit.

Ai thotë se nuk e pranon rezultatin që doli pas votimit elektronik dhe se do të kërkojë ripërsëritjen e zgjedhjeve dhe numërim manual të votës.

Sipas tij, votimi elektronik rezultoi një dështim dhe nga një garanci për votën e lirë u kthye në mekanizëm të manipulimit të saj.

“Të nderuar qytetarë të Kamzës. Nuk gjej fjalë të shpreh mirënjohjen për mbështetjen dhe besimin tuaj në garën që u mbyll mbrëmjen e kaluar. Falenderim nga zemra për secilin prej jush, që më hapi derën e zemrën, përgjatë javëve të fundit. Mirënjohje stafit tim, që nuk u lodh për asnjë moment, me besimin se të gjithë bashkë do të sillnim ndryshimin. Mirënjohje Partisë Demokratike që besoi te unë, me bindjen se projekti im dhe vota e qytetarëve të Kamzës do të kurorëzonin fitoren e parë menjëherë pas mbylljes së votimit.

Ne hymë në këtë garë me dëshirën për t’u dhënë qytetarëve të Kamzës pushtetin vendor që meritojnë, por u përballëm me një kundërshtar që nuk lë pa përdorur asnjë mekanizëm të paligjshëm për të manipuluar votën e lirë.  Presioni për votën, blerja e saj me paratë e taksapaguesve dhe përdorimi i administratës e shoqëruan fushatën e Rakip Sulit që nga dita e saj e parë. Kjo sepse kur ulesh në karrigen e kryetarit të bashkisë pa fituar një garë reale, kjo është e vetmja mënyrë që di për të marrë votën. Votimi elektronik rezultoi dje një dështim total, pasi qëllimisht pajisjet elektronike nuk u testuan paraprakisht në asnjë rast.

Kjo mënyrë votimi që duhej të ishte risi dhe garanci për votën e lirë u kthye në mekanizëm të manipulimit të saj. Rezultati i kësaj gare është një rezultat i programuar paraprakisht dhe nuk shpreh vullnetin e qytetarëve të Kamzës. Duke mos e pranuar këtë rezultat që ka deformuar në mënyrë skandaloze vullnetin e lirë të bashkëqytetarëve të mi, do të kërkoj ripërsëritjen e zgjedhjeve dhe numërimin manual të votës.  Unë hyra në këtë garë, pasi dola nga një garë reale brenda partisë time. Ndaj për mua vota është e shenjtë dhe nuk do të resht asnjëherë përpjekjet për ta mbrojtur votën e lirë si themeli mbi të cilin ngrihet demokracia”, shkruan Hoxha.

Kujtojmë që në Kamëz, ashtu si në Elbasan e Vorë u votua dhe u numërua elektronikisht. Rakip Suli i PS-së fitoi me 60.35% të votave. Hoxha mori 35.33% të votave ndërsa kandidati i PD-së së Alibeajt, Bilbil Bajraktari mori 4.32% të votave.

arjan hoxha pd kamëz