Politike15 Prill 2024, 16:43

Pakti sekret në Lindjen e Mesme që poshtëroi Iranin!

Shkruar nga Pamfleti
Pakti sekret në Lindjen e Mesme që poshtëroi Iranin!
Lideri suprem i Iranit Ali Khamenei

Pra me pak fjalë jemi në një ndryshim epokal, ose më saktë në një prag ndryshimi, ku SHBA dhe aleatët e saj sunitë nuk kanë më komplekse për të bllokuar Iranin, apo zvogëluar atë. Dhe SHBA lutet që në këtë lojë të hyjë fort Rusia që të shtendoset situata në Ukrainë.

Kush e çoi Iranin në një kompleks impotence, ndërkohë kur e dinte veten zotëruese të rajonit meqë ka fuqi në Irak, Afganistan, Siri, Katar e Liban.

Predhat që ajatullahët hodhën këtë fundjavë në Izrael, nuk ishin gjë tjetër veçse një kopje e asaj që hodhi Mato Gruda tek kulla e Fizëve në romanin “Njeriu me Top” të Dritëro Agollit.

Edhe pse ishin shumë gjyle; raketa e drone, ata nuk bënë gjë tjetër veçse dogjën mullarët e shtetit armik të Iranit.

Por e gjitha kjo nuk erdhi rastësisht, pasi në këtë atmosferë të plotë lufte janë ndërtuar aleanca tashmë të maturuara, që në rastin aktual, dhanë një provë force, mjaft të rëndësishme.

Një diplomat i Lindjes së Mesme në Tiranë, i tha 'Pamfleti'-t, se suksesi i Mbrojtjes nuk është thjesht arritje e aftësive militare të Izraelit, pa dashur të nënvleftësohen ato.

Por nga funksionimi gati perfekt i një aleance tashmë ushtarake në rajon ndërmjet SHBA dhe vendeve sunite të Gjirit Arabik (siç i thonë arabet) e Gjirit Persik (siç i thonë persët), aleancë, e cila deri në këto momente është shumë e fortë dhe shumë sekrete.

Por çfarë ndodhi gjatë sulmit Iranian mbi Izrael?

Sipas asaj që ndodhi në 7 tetorin e shkuar, apo edhe këtë fundjavë, rusët u kanë sugjeruar iranianëve, që të lëshojnë sa më shumë raketa mbi Izrael, pasi sasia mund të “çmendë” të famshmen Iron Dome që është kupola mbrojtëse ajrore e Izraelit.

Dhe nëse i referohemi sulmit të 7 tetorit të 2023-shit, shumë nga raketat e bënë dëmin, pasi edhe pse u interceptuan, nuk u ndalën dot nga sistemet raketore mbrojtëse izraelite, edhe pse janë të fjalës së fundit.

Në sulmin e kësaj fundjave, bën të ditur diplomati i Lindjes së Mesme në Tiranë, mbrojtja kundërajrore izraelite mund të interceptonte vetëm gjysmën ose maksimumi 60 për qind të 300 raketave.

Megjithatë në realitet, ajo s’pati nevojë të interceptojë asgjë. Pasi gjithçka e bëri një “iron dome” alternativ, sekret dhe me teknologjinë e fundit fare që kishin ngritur prej kohësh SHBA me shtetet armike të Iranit në rajon si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara, Jordania apo Kuvajti. Të cilat në kohën e Presidentit Donald Trump, me nismën e dhëndrit të tij Jared Kushner, firmosën “Marrëveshjet e Abrahamit”.

Marrëveshje të cilat bazën e kishin për të ndaluar jo thjesht hegjemoninë e Iranit në rajon, që është e fuqishme dhe proactive, por për të ndaluar objektivin bazik të Iranit në këtë luftë disa vjeçare.

Irani, Siria, por edhe aleatë fluidë të saj si Turqia e Erdogan apo Katari, të sponsorizuar nga Kina dhe mbështetur ushtarakisht nga Rusia, donin të dobësonin dhe rrënonin prezencën amerikane në Lindjen e Mesme. Për ta zëvendësuar me atë kineze e ruse. Siç ndodhi në Siri para disa vitesh, e në Afganistan, 2 vjet më parë. Por ky ishte një kurth i madh, nga ata që dinë të ndërtojnë amerikanët.

Të cilët si Trump ashtu edhe Biden, kur vjen puna e thellësisë strategjike, nuk ndryshojnë linjë. Me diplomaci i dhanë Kinës Afganistanin, për të mbajtur boshtin sunit të Lindjes së Mesme, që është edhe realisht më i pasuri dhe më i fuqishmi ekonomikisht.

Kjo aleancë sekrete, që u aktivizua me preçizion si në vitin 1999 mbi bombardimet në Serbi, ka joshur europianët, të cilët po vrapojnë të bëhen pjesë operative e kësaj  “Iron Dome” që është më shumë strategjike.

Siç kanë theksuar edhe shërbime inteligjente të vendeve të Lindjes së Mesme si Egjipti, apo edhe të tjera, hyrjen e Rusisë në konfliktin në Lindje të Mesme, e kanë dashur amerikanët.

Pasi pikërisht kjo hapërdarje e Moskës mund t’i japë kohë të marrë frymë Ukrainës. Pas ngjarjes së fundjavës, më shumë se ajatollahët e marrosur nga inati, ka dështuar Vladimir Putini. I cili kujtoi se më 7 tetor triumfoi ngaqë zgjoi grerëzat e Lindjes së Mesme, me mendjen se do të çmendë Joe Biden. Por SHBA i ka ditur lëvizjet, madje ka qenë disa hapa para.

Gjasat janë te jemi përpara një situate të minuar, natyrisht sepse në atë rajon: Izraeli, Pakistani dhe India janë fuqi bërthamore, e frika është e madhe. Plus Iranit që ka aleat Rusinë e Kinën.

Por sot kemi një Arabi Saudite pa komplekse, madje thuajse atlantike-anëtare e NATO-s në heshtje dhe Emiratete e Bashkuara që janë në të gjitha aspektet një vend Perëndimor.

Lufta proxy e Iranit dhe Erdoganit me të ashtuquajturit besimtarë që akuzojnë si shejtan Muhamed bin Selman Al Saud, i cili përveç se me gjak blu është realisht kujdestari i Mekës dhe Medinës, nuk pi ujë më.

MBS-ja është sot një lider që ka një buxhet 10 herë më të madh se Irani dhe fuqi teknologjike ushtarake 40 herë më të përparuar. Sulmin mbi Izrael e kanë bllokuar më shumë avionet e ushtrisë saudite sesa ato të SHBA e Francës. E kjo e ka çuar Iranin në një kompleks impotence, ndërkohë kur e dinte veten zotëruese të rajonit meqë ka fuqi në Irak, Afganistan, Siri, Katar, e Liban. Milicitë iraniane që drejtohen nga famëkeqja Brigada Kuds e Gjeneral Qazim Sulemani, i vrarë me butonin e Donald Trump, nuk e ka fuqinë e ushtrisë saudite, që sot e tregoi që kontrollon hapësirën ajrore në Lindjen e Mesme.

Frika është se kjo do të xhindosë Putinin, e me gjasë edhe ajatollahët për të vijuar raprezaljen, se ata kanë municion raketor pa fund. Por Kina që është shefja e tyre, e që prej vitesh së bashku me Japoninë tregton gjithçka në rajon, pra ble e shet, nuk do të lejojë një zonë piratësh të pa kontrolluar nga bizneset e saja.

Të cilës disa ja kanë garantuar edhe Arabia Saudite edhe Emiratet. Të cilat gjatë Covid 19 morën vaksinat kineze e ruse, madje ja çuan edhe vendeve të tjera si Shqipërisë. Ndërkaq, Arabia Saudite ka lidhur kontrata miliardere me Kinën, duke i siguruar një kalim normal në “Rrugën e Mëndafshit”.

Pra me pak fjalë jemi në një ndryshim epokal, ose më saktë në një prag ndryshimi, ku SHBA dhe aleatët e saj sunitë nuk kanë më komplekse për të bllokuar Iranin, apo zvogëluar atë. Dhe SHBA lutet që në këtë lojë të hyjë fort Rusia që të shtendoset situata në Ukrainë. Kjo është realisht loja, hapja e shumë fronteve që Ronald Regan i bëri Brezhnjevit, Andropovit që e shkatërroi ekonomikisht Bashkimin Sovjetik, pas të cilës bëri marrëveshje me Gorbaçovin./Pamfleti

lindja e mesme