Sot oficerët e GJKKO do të shkojnë të Sali Berisha për ta njoftuar një javë para se të paraqitet në SPAK, për masat ndaj tij.
Në një kohë kur Sali Berisha refuzon të zbatojë masën detyrim paraqitjeje për çështjen Partizani, oficerët e Gjykatës së Posaçme do t’i trokasin ditën e sotme sërish në derë. Berisha ka refuzuar të njihet me masën e sigurisë si edhe të paraqitet në Gjykatë, por kjo mund të rëndojë pozitën e tij.
Oficerët e GJKKO do tentojnë të njoftojnë Berishën pas disa refuzimeve nga ana e tij. Kjo pasi ish-kryeministri duhet të paraqitet para oficeres së SPAK në datën 20 nëntor. Në rast se do të refuzojë edhe në këtë datë atëherë SPAK i lind e drejta për t’ju drejtuar Kuvendit për autorizim për rëndim të pozitës së tij duke kërkuar një masë më të rëndë siç mund të jetë ajo e arrestit në shtëpi.
Prej 21 tetorit, Sali Berisha i ka shmangur kontaktet me oficerët e policisë gjyqësore për të marrë prej tyre dijeninë për caktimin e masës së sigurisë.
Në 26 tetor GJKKO pranoi kërkesat e dy prokurorëve të SPAK-ut Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai dhe vlerësoi të ligjshme masën ndaj Sali Berishës, në mungesë, pasi u përfaqësua nga një avokat kryesisht pasi avokatët e tij me prokurë të posaçmem braktisën seancën.
Sipas masës së caktuar nga GJKKO Berisha duhet të paraqitet para oficeres së policisë gjyqësore në SPAK, Adelajda Metaj të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Të hënën e parë të muajit, 6 nëntor, ish-kryeministri nuk u paraqit. GJKKO ka refuzuar ndërkohë të gjitha kërkesat e avokatëve të Berishës për shuarje mase në datën 8 nëntor si dhe për përjashtimin e Irena Gjokës, kërkesë kjo e bërë dhe më herët. Hapi i radhës i mbrojtësve të tij është ankimimi në Apelin e Posaçëm duke argumentuar se është shkelur Kushtetuta, seancë e cila ende nuk është caktuar.
Mirëpo, GJKKO në vendimin e zbardhur, ka specifikuar se ish-kryeministri ka dijeni për masën e caktuar ndaj tij dhe e ka pranuar verbalisht në konferencë për shtyp si dhe ka sqaruar përse nuk është marrë autorizimi nga Kuvendi.
Lini një Përgjigje