
Pas “suksesit” me qeverinë, Rama nis të merret me punët e bashkive...
Pasi e ndriti me qeverinë, Edi Rama duket se tani ka filluar të bëjë rolin e kryebashkiakut.
Në pikun e sezonit turistik, kryeministri është kujtuar të vihet në lëvizje për menaxhimin e bashkive, duke dalë vetë në terren.
Sot në mëngjes e pamë në Vlorë, ku Rama ka pasur një takim me kryebashkiakun Ermal Dredha dhe disa drejtorë të bashkisë. Edhe pse pushtetet janë të ndara, Rama i ka diktuar kryebashkiakut kë të shkarkojë dhe kë të emërojë. Thuhet se Rama ka urdhëruar largimin e disa drejtorëve dhe nënkryetarëve të bashkisë, duke sjellë aty të besuarit e tij.

Por duket se Rama nuk është ndalur me kaq. Këtë pasdite ai ka marrë edhe rolin e kryebashkiakut të Tiranës. Sipas informacioneve, Rama ka thirrur në një takim deputetët e zgjedhur të Tiranës si dhe drejtorët e Bashkisë. E pranishme është dhe kryetarja e komanduar, Anuela Ristani.
Takimi po mbahet tek Hotel Tirana. Nuk ka shumë detaje, por duket se qëllimi ka të bëjë me mirëmenaxhimin e kryeqytetit. Ai ka kërkuar nga deputetët e zgjedhur të shkojnë në zonat e tyre dhe të marrin informacione për problemet që kanë qytetarët.

Po ashtu ka udhëzuar përfaqësuesit e bashkisë që të bëjnë punën. Kjo, pasi ka pasur ankesa të shumta sa i përket shërbimeve nga ana e Bashkisë Tiranë, çka e ka shqetësuar kryeministrin. Kryeministri u ka lënë deputetëve një afat dyjavor për të dalë në terren, për të mbledhur shqetësimet dhe problematikat e qytetarëve, të cilat do të diskutohen në një takim të dytë.
"Duhet të ndaheni në grupe pune në terren për te parë problematikat. Kujdes në problemet e zënies së trotuareve, Tirana s’mund të bëhet si Vlora. IMT dhe INUK duhet të jenë në lartësinë e duhur", ka deklaruar Rama.

Ndërsa gojët e liga flasin se edhe Rama po bëhet gati për zgjedhje të reja në Tiranë. Pas arrestimit të Erion Veliajt, doli qartë pabesia e kryeministrit, i cili ia hoqi të gjithë njerëzit nga Bashkia dhe tani qeveris me besnikët e vet aty. Por raportet mes tyre kanë agravuar dhe flitet se Rama mund të shkojë te akti final për ta shkarkuar Veliajn, duke dëshmuar qartë se po shkojmë drejt partisë-shtet; ku vetëm një njeri bën gjithçka: Rama bën ministrin, kryeministrin, kreun e ushtrisë, kryebashkiakun, ministrin e Jashtëm, ambasadorin, kreun e KLP, KLGJ, etj. Pra, çfarë ka më shumë Erdogani?




Lini një Përgjigje