
Bashkia dhuron godinën “Ymer Tola” një shoqërie private fitimprurëse, ndërsa opozita voton pro në krah të PS; qytetarët në nevojë mbeten pa strehë dhe pa mbrojtje...
Vazhdon telenovela e dashurisë me Akademinë e Futbollit Elbasan, pas denoncimit që “Pamfleti” ka bërë vitin e kaluar për shitjen me humbje të aksioneve që Bashkia Elbasan kreu në favor të AF dhe pazareve me baste që mbajnë në këmbë këtë marrëdhënie.
Sot, në Këshillin Bashkiak Elbasan, është paraqitur nga AF Elbasani një kërkesë për shfrytëzimin e ambienteve të ish-konviktit “Ymer Tola” pa asnjë kundërshpërblim. Kontrata parashikohet të ketë kohëzgjatje 5-vjeçare dhe godina do të përdoret për akomodimin e stafit dhe lojtarëve të AF Elbasani.
Qëndron e paqartë logjika e dhënies pa pagesë e një godine rreth 1.300 m² ndaj një shoqërie aksionere fitimprurëse, ndërkohë që vetë Bashkia Elbasan është aksionere me 30% të aksioneve, të shlyera përmes kapitalit të investuar në këtë sh.a.
Përse prona publike vihet vazhdimisht në dispozicion të kompanive private, ndërkohë që në rrugët e qytetit enden gra të dhunuara me fëmijë pa strehë?
Përse Bashkia Elbasan nuk i përdor këto godina për familjet që nuk përfituan nga bonusi i qerasë apo kreditë e buta, pasi listat u mbushën me emrat e të afërmve të pushtetarëve?
Në një vend normal, opozita do të reagonte ndaj këtyre padrejtësive. Por fatkeqësisht, edhe sot një pjesë e saj votoi paturpësisht për keqpërdorimin e pronës publike. Këshilltarët e PD, Eugen Isaj, Bjanka Çopja dhe Zamir Muzhaqi, u bënë pjesë e pazarit me një ngritje kartoni, pa u shqetësuar për dëmet financiare dhe aq më pak për shtresat e margjinalizuara të qytetarëve. Dhe kjo, në emër të dashurisë për sportin dhe “zhvillimin” e qytetit.
Me siguri, thirrja e kryeministrit Rama drejtuar qarqeve të tij për të afruar opozitën në gjirin e PS, duke i shpërblyer nesër me poste në administratë, po fillon të marrë formë.
Cili do të jetë fatlumi i ardhshëm i emëruar nënkryetar bashkie? /Pamfleti
Lini një Përgjigje