
Një ditë të trishtueshme dhe turpi e cilësoi, Ferdinand Xhaferaj braktisjen e Ervin Salianjit nga liderët e partisë ditën që doli nga burgu dhe shkoi në seli.
Xhaferaj, i cili në 11 maj nuk garoi për deputet, u shpreh se ndërsa duhet të kishte një solidaritet me Salianjin, ata u fshehën të gjithë dhe heshtën, sepse i tremben atij për aktin që bëri.
Nga studio e Report TV, ai theksoi se PD i përket një çete të zgjedhur nga Berisha, i cili e ka kthyer partinë në një kasolle për interesa personale, e si kapiten i saj po e fundos anijen.
Duke paralajmëruar ndryshime dhe zgjedhje të reja brenda PD-së në vjeshtë, ai nënvizoi se nëse nuk do bëhen këto ndryshime me alternativa të reja si Salianji, atëherë në zgjedhjet lokale humbja do jetë edhe më e thellë.
Për Xhaferajn koha e Berishës ka mbaruar, ai është kthyer si një kompjuter me Ëindoës të vitit 1995 të Microsoft-it, që është mbushur me viruse të Gërdecit apo 21 janarit.
“Ishte ditë e trishtueshme. Në vend të kthehej në një ditë solidariteti në PD, u kthye në një ditë të rrënimit të madh të saj, në një ditë turpi. Kjo tregoi se partia nuk është ngritur dhe nuk shërben si një alternativë për të rrëzuar Edi Ramën, por është kthyer në një kasolle, që i shërben vetëm interesave personale të kryetarit dhe ndokujt tjetër aty.
Salianji u burgos për denoncim, nuk mund ta them politik, dhe partia e priti me heshtje. Edhe ajo fshehje dhe heshtje tregon se kujt realisht i takon PD-ja. Heshtja dhe fshehja mendoj se tregoi frikë. Po për çfarë? Jo për Salianjin, por për aktin e tij, se ishte një denoncim ndaj korrupsionit. Dhe tregon se kujt i takon partia, një çete që janë blerë nga Berisha, ato 50 mandate një herë për të shkuar te ballkoni e njëherë te SPAK. Demokratët janë te Salianji, duan alternativë”, tha Xhaferaj.
Ai këmbënguli për reformim të PD-së dhe për spostimin e Berishës, sepse koha e tij kishte mbarruar dhe qëndrimi në krye vetëm e rrënon më shumë partinë dhe është kthyer në një kapiten që po e fundos anijen. Ai kërkoi lënien e hapësirave për alternativat e reja si Ervin Salianji.
“Kjo vjeshtë duhet të ketë zgjedhje për PD-në. i shikoni urdhrat për shkarkim drejtorësh, ky është rrëzim i qeverisë dhe institucional, kanë dështuar të gjitha, kush i la ndërtimet? Edhe këto veprime anti-institucionale të kryeministrit tregojnë opozitën e dobët. Nuk abuzon pushteti në këtë mënyrë kur opozita është e fortë. Ku ka degraduar përfaqësimi jonë? Vetëm në shprehjen e hallit personal të kryetarit të partisë, që është kthyer në kapiten që po fundos anijen”, vijoi ish-deputeti demokrat.
Xhaferaj tregon se ambienti në PD pas daljes së Salianjit po zien dhe veprimi i tij është i duhuri për ta ringritur partinë, duke i dhënë mbështetjen.
“Veprimi i Salianjit është i duhuri, për të ringritur Partinë Demokratike. Unë do mbështes si zotin Salianji, ashtu edhe të tjerët që mbështeten në këto parime dhe alternativa, kundër pushtetit, patjetër do ketë mbështetjen time personale. Nuk e paralajmëroj unë, është ambienti që zien, një drejtues i lartë i PD i dënuar se ka denoncuar, del dhe shkon në seli, të tjerët fshihen. Nuk respektohet statuti atje, funksionon si çetë. Po të funksiononte statuti, i pari që duhet të ikte është Berisha. S’e bën Salianji, do e bëjë një tjetër, s’do lindi alternativa në vjeshtë, do nisi në pranverë”, nënvizoi ai.
Ish-deputeti la të kuptohej se edhe rezultati i zgjedhjeve ishte i paravendosur, teksa kryeministri e ka kapur Berishën, nëpërmjet drejtësisë dhe vulës së partisë.
“Rezultati ishte i paravendosur, ndeshja e trukuar, ishin ndeshje të turpshme, e kam thënë. Edhe kjo e Salianjit këtë tregon. Ndaj kreu i opozitës thotë se zgjedhjet ishin vjedhur, se atë duhet që të thotë, ndryshe duhet të largohej. Ndaj edhe raporti i OSBE-ODIHR u bë në atë mënyrë sipas informacioneve të mia, qeverisë i intereson pak kritikë brenda raportit, që Berisha të jetë në krye të PD-së, e të pretendojë manipulimin e zgjedhjeve, të ketë atë përballë. Do që ta ketë aty, e ka kapur, edhe me sistemin e drejtësisë, edhe me dhënien e vulës”, theksoi Xhaferaj.
Lini një Përgjigje