TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Nëntor 2025, 17:04

PD i “shpall luftë” Marta Kosit, notë verbale Delegacionit të Bashkimit Europian

Shkruar nga Pamfleti

PD i “shpall luftë” Marta Kosit, notë verbale Delegacionit

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i dorëzoi një Notë-Verbale Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë. Dokumenti kundërshton deklaratat e Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos, e cila pak ditë më parë tha se zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri ishin të lira dhe të ndershme. Opozita e cilëson këtë deklaratë të gabuar dhe të rrezikshme për perceptimin e qytetarëve ndaj institucioneve europiane.

Notën e paraqiti kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, i cili vuri në dijeni edhe Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian. Ai argumenton se qëndrimi i Komisioneres nuk përputhet me gjetjet e OSBE-ODIHR dhe as me vëzhgimet e eurodeputetëve që ndoqën procesin zgjedhor. Bardhi citon deklaratën e Kos në konferencën e 21 nëntorit 2025 me Kryeministrin Edi Rama dhe thekson se ky vlerësim nuk pasqyron realitetin e vërejtur gjatë zgjedhjeve.

Në dokument Bardhi sjell edhe referenca nga raporti final i OSBE-ODIHR dhe mbledhja e Komitetit AFET të datës 4 qershor 2025, ku eurodeputeti Michael Gahler ngriti shqetësim serioz për strukturat kriminale që sipas tij ndikojnë procesin politik në Shqipëri. Gahler foli për rrjete kriminale që ruajnë pushtetin politik për të vijuar aktivitetet e pastrimit të parave dhe trafikut të drogës dhe paralajmëroi se ky ndikim përbën pengesë të drejtpërdrejtë për integrimin europian të vendit.

PD thekson se vërejtjet e OSBE-ODIHR nuk mbështesin përfundimin se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Opozita shpjegon se integriteti i procesit kërkon kushte të barabarta për garuesit, mungesë të grupeve kriminale dhe votim pa presion apo pagesa të jashtëligjshme. Bardhi paralajmëron se deklarata të pakordinuara me institucionet përgjegjëse mund të dëmtojnë besimin e publikut tek vlerat europiane.

Nota-Verbale mbyllet me kërkesën që deklarimet e ardhshme të jenë në përputhje me gjetjet e vëzhguesve zyrtarë. PD pretendon se interpretimet personale të Komisioneres Kos rrezikojnë të krijojnë perceptim të padrejtë mbi proceset zgjedhore dhe ndikojnë negativisht tek besimi i qytetarëve shqiptarë në institucionet e BE-së.

Njoftimi i PD:

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, në emër të opozitës, i ka paraqitur sot një Notë-Verbale Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, duke vënë në dijeni edhe Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian, lidhur me deklaratat e Komisioneres Marta Kos për zgjedhjet e 11 Majit.

Bardhi thekson se po përcjell qëndrimin e opozitës në lidhje me deklaratën e bërë nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë konferencës për shtyp të datës 21 nëntor 2025 në Tiranë, e mbajtur bashkë me Kryeministrin z. Edi Rama. E pyetur nga media, Komisionerja deklaroi: “Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Është gjithmonë mirë kur marrim sugjerime për përmirësime, dhe kjo është një gjë e mirë për Shqipërinë dhe Bashkimin Evropian”.

Ne shprehim me respekt shqetësimin tonë se ky vlerësim nuk pasqyron realitetin e vërejtur gjatë procesit zgjedhor. Një deklaratë e tillë duket e papërputhshme me gjetjet e OSBE-ODIHR, nuk merr parasysh qëndrimet e shprehura nga Anëtarët e Parlamentit Evropian që shërbyen si vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri dhe rrezikon të ndikojë besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet e Bashkimit Evropian”, shkruan Bardhi.

Në letër Gazment Bardhi përvec citimeve të Raportit Final të OSBE-ODIHR, i kujton Delegacionit të Bashkimit Europian edhe mbledhjen e Komitetit për Çështjet e Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian më 4 qershor 2025, ku eurodeputeti Michael Gahler, Kryetar i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjevenë Shqipëri, prezantoi raportin e misionit të Parlamentit Europian për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke evidentuarnjë alarm serioz lidhur me “strukturat kriminale të ngulitura në Shqipëri që kanë interes të mbajnë pushtetin politik të pandryshuar për të vazhduar aktivitetet e pastrimit të parave dhe trafikut të drogës”. Ndër të tjera europarlamentari Gahlertheksoi se ndikimi i përhapur i këtyre rrjeteve jo vetëm që deformon procesin zgjedhor, por përbën edhe një pengesë themelore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se Bashkimi Evropian nuk mund të mbyllë sytë ndaj një infiltrimi kaq sistematik kriminal dhe ndikimit të tij shkatërrues mbi demokracinë.

Sipas notës-verbale të opozitës vërejtjet e paraqitura nga OSBE-ODIHR nuk e mbështesin përfundimin se “zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme”. “Ndershmëria kërkon kushte të barabarta për të gjithë garuesit, mundësi të barabarta, mungesë të përfshirjes së grupeve kriminale dhe respektim të plotë të kritereve të Kopenhagenit. Liria kërkon që qytetarët të votojnë pa presion, pa stimuj financiarë të paligjshëm dhe pa intimidim të punonjësve të administratës publike ose të grupeve vulnerabël”, shkruan Bardhi.

Nota-Verbale e grupit parlamentar të PD, mbyllet duke theksuar se: “Opozita në Shqipëri dëshiron të shprehë rezervat e saj lidhur me komentet e Komisioneres dhe kërkon me respekt që deklaratat e ardhshme të jenë në përputhje me vlerësimet e institucioneve kompetente përgjegjëse për vëzhgimin e zgjedhjeve. Përndryshe, interpretimet personale që nuk bazohen në gjetjet faktike të këtyre institucioneve mund të kontribuojnë pa qëllim në uljen e besimit publik tek vlerat e vërteta evropiane që institucionet e Bashkimit Evropian synojnë të mbrojnë”.

Lini një Përgjigje