Politike12 Qershor 2023, 15:21

PD në kaos/ Bardhi sulmon Kryesinë pas ndryshimeve në bazë: Më kanë marrë kompetencat

Shkruar nga Pamfleti

PD në kaos/ Bardhi sulmon Kryesinë pas ndryshimeve në bazë:

Partia Demokratike duket se ka hyrë në kaos total. Kryesia e PD pak ditë më parë vendosi që të shkohet në zgjedhje më 29 korrik, por duket se arritja e këtij objektivi po sjell përplasje. 

Gazment Bardhi mblodhi sot grupin parlamentar për të diskutuar mbi mënyrën se si do të veprohet dhe ai ka paralajmëruar se nuk pranon të organizojë zgjedhjet. 

Nga ana tjetër, Kryesia ka vendosur të anashkalojë Bardhin. Mësohet se në shumë degë janë vendosur kryetarë të komanduar për të organizuar zgjedhjet. Duke qenë se në shumë degë nuk ka kryetarë, Kryesia ka vendosur të veprojë vetë. Po ashtu edhe disa kryetarë janë zëvendësuar. Një ndër ta është Saimir Korreshi në Lushnje. 

Mirëpo kjo lëvizje e saj ka sjellë reagimin e Bardhit, i cili akuzon anëtarët se kanë marrë kompetencat e tij.

Unë nuk di pse është zëvendësuar njëri apo tjetri, nuk kam firmosur asnjë vendim dhe nuk do firmos asnjë vendim që bie ndesh me statutin. Unë nuk do të jap detaje të zbatimit të statutit. Nuk kam dijeni për një propozim të tillë. Organizimi i PD-së është përgjegjësi e Sekretarit të Oërgjithshëm. Mesa duket një grup kanë vendosur të ushtrojnë kompetencat e Sekretarit të Përgjithshëm. Unë do të zbatoj statutin e PD-së. Çdokush tjetër që ka vendosur të ecë përpara në procese anti statutore bën zgjedhjet e tij. Pa statut dhe pa rregulla nuk mund të ketë bashkëjetesë”, u shpreh Bardhi.

Bardhi nga ana tjetër ka kërkuar sot në mbledhjen e grupit që të mblidhet Këshilli Kombëtar, pasi vetëm ai mund të hapë zgjedhjet në parti. Por disa deputetë i kanë dalë kundër. Ata pretendojnë se shumica e anëtarëve të këshillit nuk janë, kështu që ai është jo funksional. Duket se tani të gjithë rolin drejtues të PD e ka marr Kryesia. Kjo e fundit vendosi javën e kaluar që të ketë zgjedhje më 29 korrik dhe duket se nuk ka kthim pas në këtë aspekt. 

pd bardhi grupi