
Ku ishin shërbimet policore kur njerëzit i telefonuan sallës operative?
Ngjarja e tmerrshme e nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në qendër të Tiranës, ishte natyrisht një tragjedi e madhe, por nga ana tjetër një ngjarje e evitueshme.
Nëse Policia e Shtetit, përkatësisht Drejtoria e Policisë së Tiranës do të kryente punën e saj që e ka detyrim ligjor, asgjë nuk do të ndodhte.
Një vit më parë, ndërmjet ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit u nënshkrua me bujë një marrëveshje se të gjitha shkollat do të monitorohen nga policia si pasojë e planit për të ndaluar lëndët narkotike.
Sot pas një viti, policia është zhdukur nga shkollat. Madje edhe në mëngjes sheh më pak polici bashkiake në rregullimin e trafikut që rëndojnë prindërit duke çuar fëmijët në shkolla.
Ndërsa policia thuajse është zhdukur fare. Ndërkohë që policia duhet të ketë një plan të thjeshtë masash që të paktën pas shkollës të bëjë rikonjicion në zonë që të parandalojë ato tragjedi që kanë ndodhur.
Qoftë një oficer, apo një patrullë, që në të vërtetë rrinë në lokalet përreth, nuk shihet në mjediset shkollore në Tiranë.
Madje ka raporte të qarta, qoftë nga drejtoritë e shkollave, qoftë edhe bashkia e Tiranës për këtë problem, por që kur kanë ndryshuar krerët në krye të dikasterit të policisë, askush nuk e ka vënë ujin në zjarr. Kjo mund të vërehet fare qartë, pasi nuk ka asnjë raport të policisë për shkollat 9 vjecare që nuk janë konsideruar të rrezikshme, por as për gjimnazet, ku besohet që ka të dhëna në përdorimin e lëndëve narkotike.
Nuk e sheh askund oficerin e zonës, apo një patrullë të operacionales, ndonjë inspektor të policisë së rendit.
Policia e shtetit për ngjarjen e “Fan Nolit” në mënyrë skandaloze ka nxjerrë vetëm disa fraza.
Njoftimi i policisë
Në vijim të veprimeve hetimore dhe proceduriale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën "Qemal Stafa", specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit arrestuan një të mitur 14 vjeç, për veprat penale "Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta", parashikuar nga nenet 79 pika a dhe 279 të Kodit Penal.
Ky shtetas, ditën e djeshme, në afërsi të shkollës "Fan Noli", për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatarët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ato me mjet prerës. Në përleshje janë dëmtuar të 3 të miturit.
Si pasojë e plagëve të marra njëri nga 14-vjeçarët ka ndërruar jetë në spital, ndërsa tjetri, së bashku me autorin e dyshuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Po ku ishin shërbimet policore kur njerëzit i telefonuan sallës operative?
Si policia, ashtu edhe ambulanca nuk erdhi e siç është bërë e ditur nga mediat, i ndjeri u përcoll në spital nga qytetarët. Ky është një dështim katastrofik i Policisë së Shtetit. Së paku, duhet të kishte një deklaratë, më pas një ndjesë, e natyrisht një dorëheqje. Meqë nuk ndodhi, duhet të dorëhiqet drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Sepse u tregua arrogant, cinik dhe antihuman!/Pamfleti
Lini një Përgjigje