TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Gusht 2025, 12:05

Përplasja e Ramës me gjyqtarin Balliu, reagon Bardhi: KLGJ dhe KLP të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit!

Shkruar nga Pamfleti

Përplasja e Ramës me gjyqtarin Balliu, reagon Bardhi: KLGJ dhe KLP

Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me akuzat e kryeministrit Rama ndaj gjyqtarit Hazbi Balliu në lidhje me një pallat të konfiskuar.

Bardhi e ka konsideruar këtë si një veprim flagrant që synon shkatërrimin e pavarësisë së drejtësisë.

Bardhi u shpreh se “Rama ka miratuar në vitin 2022 një ligj që i legalizonte ndërtime pa leje për oligarkët e tij në Tiranë megjithëse ai tashmë sulmon një magjistrat të ri vetëm për faktin se ky i fundit kishte zbatuar ligjin që vetë kryeministri miratoi”.

Deputeti i PD kërkoi reagim të menjëhershëm nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të mbrojtur integritetin dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

“Gjyqtarët dhe prokurorët e pavarur, të paanshëm, të ndershëm dhe me integritet nuk kanë asnjë arsye të shqetësohen për sa kohë që në vendimmarrjet e tyre i binden vetëm Kushtetutës dhe ligjit, pavarësisht nëse kjo bën të palumtur Edi Ramën, qeverinë e tij apo Partinë Socialiste.

Ndërkohë kushdo, brenda dhe jashtë vendit, që ka sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar mund ta kuptojë sa ‘i sinqertë’ është Edi Rama dhe Partia Socialiste për reformimin e sistemit të drejtësisë, pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe garantimin e shtetit të së drejtës. Për ta e vetmja “drejtësi” që funksionon, është ajo që burgos kundërshtarët politik, zvarrit hetimet ndaj korrupsionit qeveritar dhe amniston krimet zgjedhore”, shkruan Bardhi në Facebook.

Lini një Përgjigje