
Ambasada e SHBA në Tiranë ka publikuar në rrjetet sociale një mesazh lidhur me takimin që ka zhvilluar me disa nga deputetët që do të jenë pjesë e legjislaturës së re, dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Ajo që bie në sy është fakti se në takimin e thirrur nga Ambasada e SHBA janë deputetët e rinj, pra jo ata që mund të konsiderohen si ‘pesha të rënda’ të politikës shqiptare. Dhe ndoshta ky është një mesazh që iu jepet jo thjesht kryetarëve të partive, por edhe opinionit publik.
Në fotot e publikuara nga ambasada amerikane shfaqen deputetët Igli Cara dhe Besart Xhaferri, që duket se janë përzgjedhur mes atyre të PD-së, ndërsa nga socialistët Ilva Gjuzi. Gjithashtu Erald Kapri i Partisë Mundësia, është një nga emrat që shfaqet në fotot e ambasadës.



“Së fundmi, personeli i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara u takua me anëtarë të sapozgjedhur të Kuvendit për të kuptuar shqetësimet e komuniteteve të tyre dhe përparësitë në prag të fillimit të mandatit.
Ne presim me kënaqësi të punojmë me përfaqësues të zgjedhur nga i gjithë spektri politik për të vijuar partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”, thuhet në mesazhin e publikuar në faqen e Ambasadës së SHBA.


Kjo e fundit ka mbajtur një profil shumë të ulët në muajt e fundit, duke mos u bërë pjesë e asnjë prej debateve politike në vend. Madje edhe për zgjedhjet e 11 majit, nga SHBA pati një mesazh shumë të ‘thatë’ duke uruar vetëm popullin shqiptar, ndërkohë që Edi Rama mori mandatin e 4-t rradhazi si Kryeministër me plot 83 mandate në Kuvend, ndërsa Sali Berisha deklaroi mosnjohjen e zgjedhjeve.
Me përjashtim të pak mesazheve që ka dhënë për të suportuar SPAK në vijimin e goditjes së korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar, Ambasada e SHBA ka shmangur totalisht çdo koment tjetër mbi zhvillimet politike.
Lini një Përgjigje