Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar pas sulmit verbal në distancë të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetares Klodiana Lala.
Lala kritikoi qeverinë për përmbytjet dhe inceneratorët dhe sipas ligjvënëses, ndërsa kryeministri reagoi pak ditë më vonë, duke ironizuar.
Tabaku tha se sjellja e Ramës nuk është rastësi. Më tej, deputetja demokrate bëri thirrje për mbrojtjen e gazetarëve me nene në Kodin Penal, pasi "gazetarët janë zëri i publikut dhe t’i mbyllësh veshët shoqërisë do të thotë të vrasësh të vërtetën", tha ajo.
“Sulmet ndaj gazetarëve nuk janë debat. Janë arratisje nga llogaridhënia. Kur Kryeministri bullizon gazetarët pse pyesin për korrupsionin qeveritar, problemi nuk janë pyetjet. Problemi është pushteti që ka humbur qetësinë sepse nuk ka përgjigje.
Kjo sjellje nuk është rastësi. Të dhënat ndërkombëtare konfirmojnë se degradimi i lirisë së medias në Shqipëri është sistematik. Sa më shumë ngushtohet laku i drejtësisë rreth qeverisë, aq më agresive bëhet gjuha ndaj medias.
Për këtë arsye, çdo ndryshim i propozuar në Kodin Penal për mbrojtjen e gazetarëve dhe fjalës së lirë është vetëm minimumi. Sepse këto kërkojnë një kulturë politike llogaridhënëse që sot nuk e kemi; një kulturë që pranon debatin e jo arrogancën; një kulturë që respekton mendimin ndryshe dhe nuk e sulmon atë! Demokracia nuk dobësohet nga pyetjet e vështira. Ajo vdes nga heshtja që imponon pushteti. Gazetarët janë zëri i publikut. T’i sulmosh ata, do të thotë t’i mbyllësh veshët shoqërisë për të mos dëgjuar të vërtetën”.", tha Tabaku.
Lini një Përgjigje