
Flamur Noka është përplasur në Kuvend me Agron Shehaj, pasi ky i fundit bllokoi flotoren.
Një përplasje fizike ka ndodhur në sallën e Kuvendit mes deputetëve Flamur Noka dhe Agron Shehaj. Deputeti Shehaj prej disa orësh po proteston në sallën e Kuvendit, duke kërkuar fjalën për procedurë.
Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, ka shkuar te Foltorja për të marrë fjalën, por atje ndodhej deputeti Shehaj.
Në këtë moment Noka ka shtyrë forcërisht Shehajn duke e larguar nga foltorja. Ishte deputeti Luan Baçi që ka ndërhyrë mes dy deputetëve duke shmangur ndoshta një konfrontim fizik. Ndërkohë, përplasja u bë edhe më e ashpër, kur Noka doli nga foltorja dhe i hodhi telefonin në tokë Shehajt.
Në këtë moment ka ndërhyrë edhe Garda e Republikës për të shmangur një përplasje të mëtejshme, ndërkohë që i kanë sjellë edhe celularin Shehajt.
Pjesë nga debati:
Spiropali: Liro Foltoren Agron! Boll me teatër. Nuk jemi në dispozicionin tënd. Liro foltoren tani. Ik tani. Hajde ik tani. Largohu se je i përjashtuar nga seanca.
Noka: Largohu mos më detyro të flas më shumë, je bërë kloun. Mu hiq qafe Agron. Mu hiq qafe se po flas. Nuk bëj debate me ty. Hapuni çuna, nuk ka nevojë këtu. Mu hiq qafe, ik se po flas. Mu hiq, mu hiq. Mu hiq se po flas, o Gron mu hiq. Kur tu them mu largo, mu largo.

Kujtojmë që Kuvendi ka nisur me tensione ditën e sotme pasi deputeti opozitar Agron Shehaj kërkoi interpelancë me ministren e Infrastrukturës, njëkohësisht zv/kryeministren Belinda Balluku për rrugën Thumanë-Kashar.
Ai akuzoi Ballukun për harxhime parash për festat e PS duke hedhur valle dhe thënë se s’kishte kohë për interpelancën. Shehaj foli gjithashtu edhe për skandalin e 20 km rrugë me një kontratë koncesionare me vlerë 3 mld euro në xhepat e qytetarëve.
Pasi interpelanca nuk u zhvillua, Shehaj bllokoi foltoren në formë proteste.
“Kanë kaluar të paktën 6 muaj në lidhje me interpelancën që kam kërkuar me Ballukun dhe përsëri nuk po ndodh. Kanë ndodhur interpelanca të tjera, por nuk ka ndodhur kjo, sepse nuk keni vendosur dot datën. Vendoseni vetë datën, ministrja tha isha unë po s’ishe ti. Por duhet të vendosni ju, kam 6 muaj që e kam bërë.
Rekord me rrugën Thumanë-Kashar, 20 km nga 10 vite kontratë në 35 vjeçare, janë 3 mld euro nga paratë e shqiptarëve, nuk mund të fshiheni. Kishte reaguar me një çarçaf sharjesh e ofendimesh dhe me thelbin nuk ishte marrë, që keni vjedhur, duhet të jepni llogari.
Më çoi mesazh se ishte e zënë këtë javë, por ku shoh një postim, e shoh se hidhte valle me militantët e PS për festa. Ky është skandal! S’ka lekë për pensionet, arsimin, etj., thoni s’ka para, por ka për festat e PS-së!
Kur vjen puna për vjedhjet skandaloze të një rruge 20 km ju fshiheni. Keni vjedhur paratë e qytetarëve. Mund të na thoni kur do bëhet, apo është e paprekshme ministrja Balluku”, tha Shehaj.
Lini një Përgjigje