
Një ditë pas mbledhjes së tensionuar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku në qendër ishte përplasja me kryeministrin Edi Rama, Elisa Spiropali ka reaguar në rrjetet sociale. Në një postim ku uron ndjekësit për një të diel të bukur, ajo ka përcjellë një mesazh që nuk duket rastësor në raport me ngjarjet e një dite më parë.
“Mbaje fytyrën nga drita dhe hijet mbeten pas”, shkruan ajo, një formulim që në kontekstin e tensioneve të një dite më parë, ngre pyetjen: kujt i drejtohet dhe çfarë mesazhi synon të përcjellë?
Në postimin e saj në rrjetet sociale, Spiropali shfaqet me syze dielli, ndërsa shoqëron foton me mesazhin reflektues. Edhe pse nuk ka një reagim të drejtpërdrejtë për ngjarjen, koha dhe përmbajtja e postimit kanë nxitur interpretime se bëhet fjalë për një reagim të tërthortë ndaj situatës së krijuar brenda grupit socialist.

Mbledhja e 28 marsit në Pallatin e Brigadave u shoqërua me replika dhe tone të ashpra mes Elisa Spiropalit dhe kryeministrit Edi Rama.
Sipas burimeve, përplasja nisi gjatë raportimit të deputetes Lorena Goxhobelli, kur Spiropali ndërhyri duke kërkuar më shumë respekt në komunikim ndaj deputetëve:
“Pak më shumë respekt për deputetët, mos na fol ashtu se jemi deputetë.”
Kjo ndërhyrje solli reagimin e menjëhershëm të Ramës:
“Ti në prezencën time nuk komunikon, sidomos kur unë jam këtu.”
Debati vijoi edhe gjatë prezantimit të strategjisë së komunikimit nga ministrja e Shtetit, Erjona Ismaili. Një reagim me të qeshur nga Spiropali u pasua nga një ndërhyrje e ministres, e cila i kërkoi sqarim.
Pas një kërkese për ndjesë nga Spiropali, Rama reagoi sërish me tone të forta:
“Pse zgërdhihesh? Ti je më keq.”
Në një tjetër moment, kryeministri i tërhoqi vëmendjen për përdorimin e telefonit, ndërsa Spiropali iu përgjigj: “Nëse ke diçka për të thënë, thuaje.”
Rama: “Mos më provoko se do të nxjerr jashtë.”
Spiropali ishte ulur në fund të sallës, pranë deputetes Zegjine Çaushi. Ky detaj është parë nga disa si sinjal i pozicionit të saj aktual brenda grupit.
Spiropali ka qenë një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Ramës ndër vite, duke mbajtur poste të rëndësishme në qeveri. Megjithatë, në ndryshimet e fundit qeveritare të shkurtit, ajo u largua nga detyra, një vendim që u konsiderua i papritur dhe që u shoqërua me aludime për mosmarrëveshje të brendshme.
Lini një Përgjigje