
Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar një takim kokë më kokë me Mbretin e Jordanisë, Abdullah II, i cili ka nisur një vizitë në Shqipëri, në kuadër të një turi rajonal që do të zhvillojë në Ballkan.
Në qendër të bisedimeve ka qenë rritja e dialogut politik dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve.
Presidenti Begaj theksoi se është me rëndësi të rriten shkëmbimet tregtare dhe të promovohen investimet jordaneze në Shqipëri, duke vlerësuar potencialet e mëdha që ofron vendi ynë.
Në takim u diskutua gjithashtu për çështje të politikës rajonale dhe ndërkombëtare. Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e Jordanisë për Kosovën, si në procesin e njohjeve të reja ndërkombëtare, ashtu edhe në anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Presidenti Begaj konfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për hapjen e një zyre ndërlidhëse të NATO-s në Jordani, duke theksuar se Jordania është një partner i rëndësishëm në krahun jugor të Aleancës Atlantike.
Presidenti Begaj vlerësoi gjithashtu Iniciativën e Procesit të Aqaba-s, të promovuar nga Jordania, si një nismë e suksesshme në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ai e cilësoi Jordaninë si një “kolonë të fortë stabiliteti” në Lindjen e Mesme dhe nënvizoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme, Presidenti Begaj dhe Mbreti Abdullah II ndanë të njëjtin qëndrim se zgjidhja me dy shtete është e vetmja rrugë e drejtë për arritjen e paqes së qëndrueshme në rajon.
“I nderuar të takohesha me Madhërinë e Tij, Mbretin Abdullah II, sot në Tiranë.
Diskutuam forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me fokus rritjen e lidhjeve ekonomike, shkëmbimeve tregtare, turizmit dhe investimeve, duke vlerësuar, gjithashtu, bashkëpunimin tonë shumëpalësh.
Rikonfirmuam përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë për paqen, stabilitetin dhe promovimin e harmonisë tonë ndërfetare në rajon.
Së bashku ritheksuam mbështetjen për Kosovën dhe përpjekjet për njohje të mëtejshme, si dhe ndamë të njëjtin vizion për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme përmes zgjidhjes me dy shtete”, thuhet në një mesazh të publikuar nga Presidenti Begaj, lidhur me takimin me Mbretin e Jordanisë.
Lini një Përgjigje