TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Korrik 2023, 19:42

Qeveria mashtron, Emiratet- FBI-së: Shqipëria nuk ka kërkuar marrëveshje për ekstradimin e të fshehurve në Dubai

Shkruar nga Pamfleti
Qeveria mashtron, Emiratet- FBI-së: Shqipëria nuk ka kërkuar
Sheikh Mohamed bin Zayed dhe Edi Rama

Në mars 2023, SPAK i paraqiti Ministrisë së Brendshme e Ministrisë së Drejtësisë, një Rezolutë, që t‘ia dërgonin Shtetit të Emirateve për arrestimin dhe ekstradimin e shqiptarëve në kërkim të fshehur në Dubai, por ish-ministri Bledar Çuçi nuk e firmosi dhe rezoluta u bllokua...

Prej 3 vitesh, mes opozitës, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, SPAK e Interpol-Tirana, vazhdon “ping- pongu”, për çështjen e personave të arratisur e fshehur në Dubai, Abu Dhabi, Ajman, Fujairah e Sharjah, ku bëjnë biznes dhe jetojnë me milionat e krimeve.

Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, deklaroi edhe me 3 qershor 2023, se janë bllokuar të gjitha dosjet hetimore të vrasësve, trafikantëve e zyrtarëve të korruptuar shqiptarë në Dubai, mbasi sipas tij, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Interpol-Tirana, nuk po nënshkruajnë marrëveshje me  Shtetin e Emirateve për arrestimin dhe ekstradimin e tyre.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, ministri Ulsi Manja, ish-ministri Bledar Çuçi e krye polici Muhamet Rrumbullaku, kanë deklaruar se Shtetit të Emirateve të Bashkuara, i është kërkuar disa herë, nënshkrimi i marrëveshjes për ekstradimin e personave në kërkim, por ata nuk kanë pranuar.

E vërteta e mos ekstradimit, është zbuluar nga një deklaratë që Departamenti i Prokurorisë Publike në Dubai, i ka bërë ekipit të FBI, i cili ishte atje në krye të një misioni, ku bënin pjesë dhe zyrtarë shqiptarë, për zbulimin e parave të krimit e korrupsionit me burim Shqipërinë dhe 5 vendet e rajonit jashtë BE, në zbatim të Urdhrit Nr. 14033 të Presidentit Amerikan, Joe Biden.

Pas interesimit të zyrtarëve të FBI, se përse nuk pranohet kërkesa e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s e partner i SHBA, zyrtarët e lartë të Drejtësisë Penale e Policisë Kombëtare të Emirateve, kanë deklaruar se shteti shqiptar nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për marrëveshje ekstradimi.

Të vetmet marrëveshje që Shteti Shqiptar i ka paraqitur Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed, Këshillit Suprem Federal dhe kompanive koncensionare të Dubait në ortakëri me shtetin, kanë qenë kërkesat për investime dhe ndërtime bregdetare private dhe borxhe e donacione direkte, jashtë protokollit mbikëqyrës të Bankës Botërore e FMN.

Siç është projekti i kullave Rama- Alabbar në Durrës, projekti agro- bujqësor 300 hektarë buzë Vjosës në zonën e Përmetit si koncesion 99-vjeçar me Alabbar, sallameri “Hako” e një botues pranë kryeministrit etj.

Nuk do shumë mendje, të kuptohet qëllimi i krerëve të Shtetit Shqiptar, për të mos bërë marrëveshje ekstradimi me shtetin e Emirateve, mbasi mes 178 personave në kërkim të fshehur në Dubai, 42 prej tyre kanë lidhje familjare dhe interesash me kupolën e qeverisë, si  Florjan Çapja i Elbasanit, Trifon Murataj i “Bana King”, Amant Josifi i Call-Center etj., etj.

Këtë e dëshmon edhe ky fakt: Në fillim të muajit mars 2023, SPAK i paraqiti Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë, një Projekt-Rezolutë, që t‘ia dërgonin Shtetit të Emirateve, për arrestimin dhe ekstradimin e shqiptarëve në kërkim të fshehur atje, por ish-ministri Bledar Çuci nuk e firmosi dhe rezoluta u bllokua./Pamfleti

sheikh mohamed bin zayed edi rama fbi dubai

Lini një Përgjigje