Niko Peleshi u zgjodh nga kryeministri Edi Rama si kryetari i ri i Kuvendit për mandatin e katërt qeverisës.
Në prononcimin e tij për mediat pas Asamblesë së PS-së, Peleshi u shpreh se e mësoi vetëm sot këtë propozim dhe se është një përgjegjësi e madhe.
“Unë po vij nga kryesimi i grupit, kam qenë kryetar i Grupit Parlamentar, kam patur disa portofole ministrore, kam patur një eksperiencë të gjatë. Nuk po them që unë jam i vetmi që e meritoja, shumë e shumë kolegë të mi mbase mund ta bënin më mirë se unë. Është propozuar sot nga kryetari i partisë që të jem kryetar Kuvendi, e pranoj me shumë kënaqësi, përulësi dhe shumë përgjegjësi. Po ju them që po e kam mar vesh sot që do të jem në atë pozicion. Është një përgjegjësi shumë e madhe, nisur dhe nga momenti historik ku ndodhet vendi në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian”, tha ndër të tjera Peleshi.
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që në 4 vitet e ardhshme për Shqipërinë 2030, të ketë riorganizim dhe reformim të disa institucioneve, përfshirë dhe Kuvendin.
Kryeministri tha se Kuvendi duhet të ketë më pak deputetë.
“Elisa, Niko, Taulanti me Majlindën, Ardean e disa deputetë të tjerë kishin për detyrën hartimin e një projekti për ndërtimin e komisioneve të reja parlamentare. Ata kanë analizuar ecurinë, strukturën dhe programin e kuvendit ndër vite. Si dhe kanë vlerësuar nevojën e harmonizimit të strukturës së Kuvendit me strukturën e procesit të negociatave. Paraprakisht dua të mbroj disa mendime. Së pari në më shumë se 3 dekada, na duhet një cikël i ri reformimi dhe riorganizimi për disa institucione, ndër të cilat edhe për Kuvendin e Shqipërisë. Tepria e numrit të deputetëve. Zbritja e numrit të deputetëve të Kuvendit në të paktën 101 deputetë, edhe më pak bujrum, do kishte vetëm impakt pozitiv. Prandaj ky ndryshim duhet të jetë objektiv i yni që përkon me vullnetin e zgjedhësve tanë”., tha Rama.
Lini një Përgjigje