TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Mars 2024, 11:49

Dështojnë negociatat me Berishën, Rama: Idiotë! Jemi gjithnjë 3 hapa përpara, s'ka pazar me non grata

Shkruar nga Pamfleti
Dështojnë negociatat me Berishën, Rama: Idiotë! Jemi
Rama dhe Berisha

Dështojnë negociatat mes PS dhe Rithemelimit për normalitetin e Kuvendit dhe Komisioneve Parlamentare.

Sot në orën 13:30 ishte parashikuar të zhvillohej Konferenca e Kryetarëve në Kuvendin e Shqipërisë por mbledhja është shtyrë.

Në mbledhjen e sotme do të diskutohej për objektin e komisioneve hetimore të dakordësuara mbledhjen e djeshme por nuk është arritur më pas dakordësia për objektin e këtyre komisioneve dhe prandaj mbledhja e sotme u shty.

Menjëherë pas shtyrjes së Konferencës së Kryetarëve, reagoi edhe kryeministri Rama. 

Në një reagim në rrjetin social X, Rama mohoi pazarin me Sali Berishën të negociuar ditën e djeshme dhe thotë me tone të larta se për PS nuk ka bashkëpunim me non-grata.

Kryeministri më tej theskon se PS është gjithnjë tre hapa përpara opozitës.

'Të gjithë idiotët e dobishëm janë sulur socialeve e kanaleve për të thënë se paskërkemi gëlltitur ç’kemi thënë dhe po bashkëpunokemi me Non Gratën, pse jemi dakord që sipas kornizës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese të miratojmë komisione hetimore brenda kësaj kornize!

Po ne këtë e kemi thënë e stërthënë dhjetra herë, qyshse refuzuam të miratojmë kërkesa për të ngritur komisione hetimore jashtë asaj kornize! Dhe nëse deputetë të Kuvendit që mbledhin firmat për të ngritur një komision hetimor e bëjnë kërkesën brenda asaj kornize, ne s’kemi as të drejtë, as arsye e as mundësi që ta refuzojmë.

E kurdoherë që kjo të ndodhë vota jonë është sigurisht pro! Çfarë ka këtu për të vënë kujën përveç nevojës për të helmuar publikun me akuza dhe shpifje krejt të pabaza mbi medemek “pazarin me Non Gratën”, i cili thjesht nuk ekziston? Edhe për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore e kemi thënë prej disa kohësh, nëse nuk pjell asgjë veç sherrit e shamatasë së tyre deri kur të mbyllet afati, do të mbyllet edhe komisioni e kjo punë do t’i mbetet Kuvendit, ku po nuk u arrit dot ndonjë mirëkuptim për ndryshime të ligjit dhe s’ka numra në sallë për të votuar ndryshime, do të shkojmë në zgjedhje me ligjin që kemi.

As për këtë s’kemi ndryshuar ndonjë qëndrim a mendim. Atëherë ku është ky pazar dhe ku hyn Non Grata në këtë mes?! Ah, nëse ata që do të digjnin parlamentin kanë ndërruar mendje dhe duan të rikthehen në punë, ne as nuk i pengojmë dot, as nuk duam t’i pengojmë të reflektojnë, përkundrazi na vjen mirë që ta bëjnë. Kjo është e gjitha dhe ne jemi ata që ishim, aty ku ishim, me po ato qëndrime që kishim, jo sepse është gabim të ndryshosh qëndrim, po sepse në këtë rast nuk ka asgjë për të ndryshuar në qëndrimin tonë.

Çudi që s’e mësuan dot që Partia Socialiste është gjithnjë tre hapa përpara dhe në fund të gjitha xhirot bosh përfundojnë po në pikën ku nisin, tre hapa mbrapa nesh.', shkruan Rama.

Kujtojmë se një ditë më parë, në Konferencën e Kryetarëve u arrit dakordësia për Komisionet Hetimore.

Mazhoranca u tërhoq nga vendimet e datës 12 Tetor 2023 për rrëzimin e komisionit hetimor për kontratat koncesionare në Shëndetësi dhe për komisionin hetimor për ndërhyrjen e paligjshme në sistemin TIMS. Në Konferencën e Kryetarëve u ra dakord që Opozita të ushtrojë të drejtën për ngritjen e Komisioneve Hetimore, duke filluar në këtë sesion parlamentar me ngritjen e dy Komisioneve Hetimore që u rrëzuan më 12 Tetor 2023.

U vendos në parim që të ngrihen të dyja komisionet e mësipërme, që ishin edhe shkaku i nisjes së aksionit të opozitës në Kuvend që nga 19 tetori i vitit 2023 e deri më sot.

Konferenca e Kryetarëve ka arritur gjithashtu dakortësinë në parim për një tjetër çështje që shkaktoi bllokimin e veprimtarisë normale të Kuvendit, që ishte përfaqësimi me ato që opozita cakton vetë në proceset e Reformave.

Palët kanë rënë dakord në parim që Kuvendi të ngrejë një “Nënkomision për Reformat”, që përbëhet nga 4 anëtarë (2 cakton Çuçi – 2 cakton Bardhi).

Nënkomisioni është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirje, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian.

Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve (veto) dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare.

Kujtojmë këtu që Komisionit të Reformës Zgjedhore i skadon afati më 21 Mars 2024, ku bashkëkryetarët Gjiknuri dhe Alibeaj kanë dështuar deri më tani të kenë produkt.

ps rama berisha

Lini një Përgjigje