
Pas kritikave nga Unioni i Gjyqtarëve, Rama rihap debatin e pagave...
Kryeministri Edi Rama duket se u ka shpallur luftë gjyqtarëve. Gjatë verës pamë shumë statuse të tij që godisnin gjyqtarët që merrnin vendime kundër qeverisë, sidomos sa i takon prishjes së objekteve. Por duket se pati një lloj qetësie. Mirëpo një deklaratë sot e Shoqatës së Gjyqtarëve që dënonte padinë e Ramës në Kushtetuese për zv/kryeministren Balluku si dhe qëndrimet e tij, ka nxjerrë nga vetja kreun e qeverisë.
Rama reagoi ashpër paradite, por si duket nuk i ka dalë inati. Këtë herë është kapur me një kërkesë që kanë bërë gjyqtarët në Kushtetuese, ku kërkojnë rritjen e pagave. Për këtë çështje ka pasur debate në qershor, por meqë çështja është futur në rend dite nga Kushtetuesja, Rama ka nisur sulmet në dy fronte.
“S’ka mundësi”, më shkruajnë disa, lidhur me kërkesën e gjyqtarëve për ta rritur pagën me 1600 Euro mbi aktualen! Jo vetëm që ka mundësi, po 1600 Euro është rritja që kërkojnë magjistratët e këshilltarët e zakonshëm, se mes atyre që kërkojnë rritje janë edhe specialët, pra ata të GJKKO dhe SPAK-ut, të cilët kanë pagat më të larta në republikë, por kërkojnë edhe një rritje prej 3100 Eurosh! Po, asnjë shaka; deri tani marrin 6130 Euro në muaj, tani duan që t’ua kthejë në “kos” Gjykata Kushtetuese me 3100 Euro plus, e si përfundim të marrin 9230 Euro në muaj. Si ka mundësi?!”, shkruan ai.
Më tej Rama shton presionet ndaj Kushtetueses: “Ka mundësi si jo, kur arrin të ndryshosh edhe qeverinë me një vendim gjykate, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit e parlamentit bashkë, pa pasur marrë një kokërr vote të vetme nga populli tërë jetën tënde, si nuk arrite të marrësh nga arka e shtetit me një vendim tjetër gjykate mijëra euro për të rritur pagën tënde?! Kush ka mbetur pa e kuptuar që s’e kam hallin te një ministër unë, por te rreziku real i përmbysjes së balancës demokratike mes pushteteve?!”.
Përplasja mes gjyqësorit, ekzekutivit dhe Parlamentit për përllogaritjen e pagave të magjistratëve nisi në vitin 2019, kur Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se përllogaritja e pagave të gjyqtarëve bërë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ishte e gabuar dhe se gjyqtarëve po u mbahej një pjesë e pagës që u takonte, në bazë të ndryshimeve ligjore të vitit 2016.
Parlamenti ndërhyri në vitin 2021 në ligj dhe bëri ndryshime të tilla që normuan si të drejtë llogaritjen e bërë nga KLGJ-ja dhe anashkaluan propozimet e KLSH-së. Këto ndryshime u panë nga gjyqtarët si ulje page dhe shkelje e nenit 138 të Kushtetutës, ku për të ruajtur pavarësinë e gjyqësorit nuk lejohen ndërhyrje të kësaj natyre. Unioni kërkoi shfuqizimin e ndryshimeve dhe Gjykata Kushtetuese vendosi në vitin 2022 ta pranonte padinë, duke shfuqizuar nenet e ndryshuara të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” mbi pagën referuese. Kushtetuesja i kërkoi Kuvendit të rishihte ligjin dhe të qartësonte referencën për pagën e magjistratëve.
Në vitin 2023, Kuvendi bëri ndryshime të reja, nisur nga vendimi i Kushtetueses, duke e lidhur pagën e magjistratëve me atë të Presidentit të Republikës. Ky ndryshim solli rritje të pagave të magjistratëve, siç parashikohej në ligjet për reformën në drejtësi, dhe rriti me 570 lekë edhe pagën referuese. Në të njëjtën kohë u miratuan edhe ndryshimet në pagat e administratës civile, të cilat u rritën disa herë.
Gjyqtarët, paga referuese e të cilëve lidhej tani me atë të presidentit, nuk përfituan nga kjo rritje pagash. Për Unionin e Gjyqtarëve, këto ndryshime bien ndesh me nenin 138 të Kushtetutës.
Unioni interpreton se shkëputja e pagës së gjyqtarëve nga administrata civile dhe mos përfitimi prej tyre i rritjeve që u bënë pagave të administratës sjell në një mënyrë “një ulje faktike të pagës, pavarësisht se, formalisht, paga nuk është ulur, madje është rritur me 570 lekë”. Unioni thotë se me ndryshimet e sistemit të pagave në vitin 2023, magjistratëve u mohohet një rritje page prej 78 mijë lekësh.
/Pamfleti
Presion i paster. Balluku te jepte doreheqjen. E ky mos bente ze. Kjo eshte lufte me ata qe bene drejtesine e re. Dhe ata nuk falin kollaj.
Rama ska asgje me gjyqtaret, i ka nen sqetull. Thjesht po ben lojen sikur po e mbeshtet deri ne fund Ballukun, qe nuk ka asnje shprese. Do shikoni qe Balluku do kete probleme( jo per tunelin) te tjera, fiks si Beqja dhe Lali Eri.
E ka humbur fare palloshi. Ka ikur nga mendorja.