
Kryeministri Edi Rama duket se ka nisur që tani fushatën. Përveç nacionalizmit duket se tani po tenton të bëjë për vete dhe bizneset. Në një takim me grupet e biznesit ai tha se nuk do të ketë më gjoba të befasishme ndaj bizneseve.
Ai shtoi se do të kryhet reforma e Inspektorateve dhe nuk do të ketë më gjobë në vizitën e parë. Kryeministri u shpreh se bizneset që do të jenë korrekte në raport me shtetin, nuk do të kontrollohen.
“Ne kemi një luftë shtetbërjeje, që hapësira e korrupsionit të ngushtohet. Dikur korrupsioni ishte kapilar. Na ndihmon dija e fituar në këto vite, por edhe dija e Bashkimit Europian. Duhet të kryejmë reformën e Inspektorateve. Ato do të jenë autonome prej ministrive. Duhet të ndryshojmë figurën e inspektorit. Nuk do jetë trup që edhe do vendosë gjoba, edhe do marrë ankesa. Do ketë edhe Komisione Apelimi të përfaqësuesve të biznesit, në mënyrë transparente dhe kolegjiale, për të kaluar një barrikadë, që nuk kapërcehet kaq lehtë sa ç’kapërcehet sot.
Do të vendosim parimin “jo gjobë në vizitën e parë”. Kjo do ta bëjë të pamundur që të vihet një gjobë në mënyrë të papritur. Është shteti që i shërben biznesit, për të garantuar konkurrencën e lirë dhe të drejtë. Vizita e parë ka vetëm këshillim dhe regjistrim të problemit. Herën e dytë do të rikthehet një trup, që është e monitoruar ndërkaq. Bizneset do të klasifikohen, pasi sekush ka nivelin e tij të suksesit. Bizneset që do jenë korrekte në raport me shtetin, nuk do të kontrollohen, do jenë në fashën A të bizneseve dhe askush nuk mund të bëjë kontroll, pasi kanë treguar në proces kohor se i janë përmbajtur rregullave”, u shpreh Rama.
Lini një Përgjigje