Kryeministri reagoi pas votimit në Parlamentin Europian, duke thënë se amendamenti që lidhte projektin në Zvërnec me zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë nuk mori mbështetjen e shumicës së eurodeputetëve.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas votimit në Parlamentin Europian të amendamenteve të propozuara në kuadër të Rezolutës për Shqipërinë, duke theksuar se eurodeputetët rrëzuan një amendament që, sipas tij, përpiqej të lidhte zhvillimin e planifikuar në Zvërnec me zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi dy dokumente nga procedura e amendamenteve në Parlamentin Europian. Në njërin prej tyre shfaqet një amendament që, sipas kryeministrit, është rrëzuar nga shumica e eurodeputetëve, ndërsa në tjetrin paraqitet një amendament tjetër që shpreh shqetësime për zhvillimet në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë dhe kërkon respektimin e standardeve europiane të mbrojtjes së mjedisit.
“Ja edhe Parlamenti Europian e ndau ‘shapin’ e stuhisë digjitale të dizinformimit nga ‘sheqeri’ i zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të Rezolutës për Shqipërinë”, shkroi Rama.
Kreu i qeverisë tha se mbështetja e institucioneve europiane për procesin e integrimit të Shqipërisë dëshmon, sipas tij, vlerësimin pozitiv për ecurinë e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në reagimin e tij, Rama akuzoi kundërshtarët e projektit se po e përdorin çështjen për qëllime politike, duke iu referuar protestave të zhvilluara javët e fundit për mbrojtjen e mjedisit në zonën e Zvërnecit dhe Vjosë-Nartës.
“Flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian”, u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, zhvillimi i projektit do të vijojë në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet europiane të mbrojtjes së mjedisit, ndërsa ai ritheksoi angazhimin e qeverisë për të çuar përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Lini një Përgjigje