Futbollisti i Kolumbisë, Jaminton Kampaz, është bërë objekt i kërcënimeve me jetë pas eliminimit të kombëtares së tij nga Kupa e Botës. Sulmuesi humbi një rast të artë në minutën e 115-të të sfidës ndaj Zvicrës, një moment që mund t’i kishte dhënë Kolumbisë golin e kualifikimit.
Ngjarja ka rikthyer në kujtesë një nga episodet më tragjike të futbollit kolumbian. Në Botërorin e vitit 1994, Andres Eskobar shënoi autogol në ndeshjen ndaj SHBA-së, humbje që çoi në eliminimin e ekipit. Vetëm pak ditë më vonë, ai u vra me armë zjarri jashtë një lokali në Medellin.
Sipas raportimeve të “Infobae”, Kampaz ka marrë kërcënime serioze pas ndeshjes. Situata e krijuar e ka detyruar futbollistin të mos udhëtojë me pjesën tjetër të skuadrës në fluturimin e kthimit drejt Kolumbisë, për arsye sigurie.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Kampaz falënderoi tifozët për mbështetjen, shprehu dhimbjen për eliminimin dhe bëri thirrje që futbolli të mos shndërrohet në burim urrejtjeje.
“Që i vogël kam ëndërruar të mbroj ngjyrat e Kolumbisë, të dëgjoj himnin kombëtar, të përfaqësoj miliona njerëz dhe të shënoj një gol në një Kupë Bote. Sot mund të falënderoj vetëm Zotit që më dha mundësinë ta realizoj këtë ëndërr. Janë kujtime që do t’i mbaj me vete përgjithmonë.
Dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata që ishin pranë nesh gjatë këtij Botërori, ata që besuan te ne, na mbështetën deri në minutën e fundit dhe nuk reshtën kurrë së besuari. Faleminderit edhe familjes sime, e cila ka qenë forca ime në çdo hap dhe ka qëndruar pranë meje si në momentet më të lumtura, ashtu edhe në ato më të vështirat.
Për gjithë vendin tim mund të them vetëm se e ndaj dhimbjen e këtij eliminimi. Edhe ne ëndërronim të vazhdonim përpara dhe e di mirë trishtimin që ndiejmë sot si kolumbianë. Më vjen thellësisht keq që nuk arrita t’ju dhuroj gëzimin që të gjithë prisnim, por dua ta dini se nuk na munguan kurrë përkushtimi, angazhimi dhe dashuria për këtë fanellë. Dhashë gjithçka kisha në fushë dhe do ta bëja sërish, një mijë herë, për vendin tim.
Futbolli përbëhet edhe nga momente të vështira. Sot na mbetet vetëm të mësojmë, të ngrihemi dhe të vazhdojmë të punojmë për t’u rikthyer edhe më të fortë.
Kolumbia ime, ju lutem të mos e humbasim kurrë respektin për njëri-tjetrin. Mund të mendojmë ndryshe, të ndiejmë zhgënjim apo trishtim, por asnjë pasion nuk e justifikon urrejtjen dhe të jetuarit me frikë”, shkroi Kampaz.
Lini një Përgjigje