
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas publikimit të raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve në Shqipëri.
Sipas raportit që ka siguruar “Pamfleti”, paraja informale, kryesisht nga trafiku i drogës ka prishur balancat në treg.
Salianji e ka cilësuar raportin si një pasqyrë të qartë të realitetit të zymtë me të cilin përballen qytetarët dhe bizneset çdo ditë në vend. Ai thekson se pronat janë sektori më i ekspozuar ndaj korrupsionit, ndërsa shton se kur ligjet favorizojnë të afërtit e pushtetit, të tjerët mbeten të pambrojtur, të kërcënuar dhe të zhvatur.
“Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri është një dëshmi dhe pasqyrë e realitetit që qytetarët dhe bizneset ndjejnë çdo ditë. Në mënyrë të drejtpërdrejtë raporti pasqyron;
Korrupsion të përhapur dhe gjykata joefikase, ku investitorët këshillohen të mos i besojnë sistemit tonë gjyqësor, por të kërkojnë arbitrazh ndërkombëtar. Ky është dështim i qeverisë për të garantuar sundimin e ligjit, shtet ligjor dhe siguri juridike!
Të drejtat e pronës të pasigurta, me tituj të mbivendosur, regjistrime të papërfunduara dhe një proces kompensimi të ngadaltë e të padrejtë, shpesh nën vlerën reale të tregut. Raporti thekson se pronat janë sektori i ekspozuar ndaj korrupsionit.
Abuzime në trajtimin e investimeve, ku ligjet favorizojnë të afërtit e pushtetit, ndërsa të tjerët mbeten të pambrojtur dhe shpesh të kërcënuar nga shteti me shpronësime apo zhvatje.
Mungesë transparence dhe burokraci, që i detyrojnë investitorët të përdorin ndërmjetës për procese elementare, duke rritur kostot dhe rrezikun e abuzimeve”, shkruan Salianji.
Lini një Përgjigje