
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli, është shprehur i gatshëm për të kandiduar për Bashkinë Tiranë, nëse do të merrte një ofertë.
Ai tha se për ta bërë këtë, do të duhej një bashkim i vërtetë mes forcave opozitare. Kadilli shtoi se nuk ishte fjala vetëm për të, por në gjetjen e një projekti përbashkues për opozitën, që sipas tij do të çonte në fitoren e kandidatit të opozitës në Bashkinë Tiranë.
Ai theksoi se opozitës i duhen njerëz që kanë shfaqur identitet të fortë, që kanë shfaqur pavarësi nga lideri dhe ndershmëri.
“Do isha i nderuar të kisha përgjegjësinë e një sfide të tillë për Tiranën. Por kjo si çdo gjë ka një por. A ka një bashkim të vërtetë? A ka një reflektim të vërtetë? A do heqim dorë nga strategjitë dhe makinacionet për të fshehur të vërtetën dhe për të kontribuar të gjithë? A do arrijmë të bashkojmë të gjithë spektrin opozitar? Nëse këto janë të mundshme, unë do isha i nderuar të kisha një sfidë të tillë. Por nuk është fjala për mua. Është fjala për të gjetur një projekt politik përbashkues. Dhe këtu kam parasysh njerëz që kanë vullnetin të kuptojnë.
Ne kemi një PD në degradim në opozitë, kemi disa parti që më saktë janë kryetarë pa parti, kemi edhe një lëvizje radikale majtas, puritane në dukje, që ka ardhur në ngjitje. Dhe sfida e tyre është strategji efektive për ta, për të marrë vota maksimalisht. Dhe ku qëndron avantazhi i tyre? Duhen njerëz që kanë shfaqur identitet të fortë, që kanë shfaqur pavarësi nga lideri dhe ndershmëri”, u shpreh Kadilli për “A2 CNN”.
Lini një Përgjigje