TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Qershor 2026, 13:07

Raporti i PE, Tabaku akuza të forta Ramës për dezinformim: Kërkohet rishikimi i ligjit për zonat e mbrojtura

Shkruar nga Pamfleti
Raporti i PE, Tabaku akuza të forta Ramës për dezinformim:
Jorida Tabaku Jorida Tabaku

Një ditë pas miratimit të raportit vjetor të Parlamentit Europian për Shqipërinë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi ndaj mënyrës se si qeveria ka interpretuar amendamentin 17 që lidhet me zonat e mbrojtura.

Sipas saj, dokumenti i miratuar në Strasburg nuk mbështet qëndrimin e ekzekutivit, por kërkon rishikimin e ndryshimeve të bëra në legjislacionin përkatës.

Në një deklaratë për mediat, Tabaku tha se gjatë debatit në Parlamentin Europian eurodeputetët kanë ngritur shqetësime për situatën në Shqipëri, duke përmendur korrupsionin, investimet strategjike, ligjin për zonat e mbrojtura dhe pastrimin e parave.

“Po diskutoheshin raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe pothuajse të gjithë eurodeputetët ngritën të njëjtat shqetësime për atë që po ndodh sot në Shqipëri. Ata ishin të qartë se protesta që zhvillohet sot në vend lidhet me akumulimin e problemeve të 14 viteve të fundit: me sistemin që ka ndërtuar Edi Rama, me arrogancën e pushtetit, me korrupsionin dhe me ligjet me porosi”, deklaroi ajo.

Duke folur për amendamentin që trajton çështjen e zonave të mbrojtura, Tabaku tha se teksti përfundimtar i miratuar nga Parlamenti Europian përfshin kërkesa konkrete për ndryshimet ligjore dhe procedurat mjedisore.

“Kishte disa amendamente të propozuara nga grupi i të Gjelbërve, të cilat PPE i trajtoi me përgjegjësi dhe në fund u arrit një formulim që reflekton kërkesat e protestuesve. Amendamenti dënon ligjin e investimeve strategjike dhe kërkon pezullimin e tij të menjëhershëm. Po ashtu kërkon rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe garantimin që çdo projekt të shoqërohet me vlerësime të plota mjedisore, konsultim me shoqërinë civile dhe me komunitetet lokale”, tha ajo.

Deputetja demokrate akuzoi gjithashtu qeverinë për mënyrën se si është paraqitur publikisht përmbajtja e dokumentit të miratuar në Strasburg.

“Unë e kuptoj që disa përfaqësues të politikës shqiptare nuk patën mundësi të zhvillonin takime dhe të dëgjonin nga afër diskutimet që u zhvilluan atje, por dezinformimi që ka ardhur nga zyra e Kryeministrit gjatë dy ditëve të fundit është i paprecedentë”, deklaroi Tabaku.

Reagimi i saj vjen pas miratimit të raportit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, ku u përfshi edhe një amendament që u kërkon autoriteteve shqiptare të vendosin moratorium për lejet e reja, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura deri në harmonizimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian.

Pas votimit në Strasburg, kryeministri Edi Rama e përshëndeti raportin dhe deklaroi se “flamingot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet”, duke shtuar se çdo projekt do t’i nënshtrohet procedurave të vlerësimit të ndikimit në mjedis sipas standardeve të BE-së.

jorida tabaku tabaku akuza të forta ramës

1 Komente

  1. T
    Tony

    Heret kujtoheni, pasi firmoset, shitet, vidhet e shkaterrohet cdo gje, qe tek bujqesia, armatimi e morali na beni thirrje si ajo e dukurshmja 'Bashkohuni shoke me ne ne cete'.

    Lini një Përgjigje