Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një deklarate për mediat këtë të mërkurë, 18 qershor, jashtë Kuvendit, u pyet lidhur me deklaratën e tij se në protesta mund të kenë qenë të pranishëm agjentë serbë.
Berisha pretendoi se ekziston një bashkëpunim mes Tiranës dhe Beogradit kundër protestuesve.
“Qytetari digjital më ka thënë se ka agjentë serbë në protestë. Kjo sepse ka një bashkëpunim mes Tiranës dhe Beogradit. Këto po marrin ekspertë serbë të protestave të zgjatura dhe është një akt antishqiptar. Serbët nuk janë prapa diellit. Janë të kontraktuar, i paguan Vlora dhe këto. Vlora Çitaku është agjente e kombinuar mes Ramës e Vuçiçit”, tha Berisha.
Duke folur për protestat kundër projektit në Zvërnec, kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama për shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Parlamenti Europian ka shprehur shqetësim të vazhdueshëm për ndërtimet në zonat e mbrojtura. Edi Rama ka shkelur ligjin kombëtar dhe ndërkombëtar. Tek ‘Zvërneci’, Rama ka shkelur disa ligje. Duhet bërë një vlerësim rigoroz i mjedisit. Ligji kërkon që të këshillohesh me shoqërinë civile dhe me komunitetin. Ka një konventë, që kërkon që të këshillohesh me qytetarët. E patë ju konsultimin, me zvarritje.
PD nuk ka qenë kurrë kundër për investime të huaja. Por Rama ka shkelur ligje kombëtare dhe ndërkombëtare. Përpos kësaj, është problemi dhe i pronësisë. Aty janë “duart e zeza” të Edi Ramës. Parlamenti duhet të anulonte ligjin e 2024-tës, për ndërtimin në zona të mbrojtura. Flamingot do i shkatërrojë aeroporti”, u shpreh Berisha.
Lini një Përgjigje