Bashkëkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, deklaroi në mbledhjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore se procesi aktual duhet të shmangë gabimet e së shkuarës, duke veçuar si shembull zhvillimet e vitit 2020.
Gjatë fjalës së tij, Bylykbashi theksoi rëndësinë e hartimit të një strategjie të qartë dhe të përbashkët, si dhe domosdoshmërinë për të lënë mënjanë faktorët që, sipas tij, kanë çuar më herët në dështimin e proceseve të ngjashme.
Sipas tij, Komisioni duhet të hapë rrugën për gjetjen e zgjidhjeve teknike dhe të trajtojë me konsensus rekomandimet e OSBE/ODIHR, si një nga detyrat kryesore të tij.
Bylykbashi ngriti shqetësimin për sistemin zgjedhor, duke e konsideruar atë një nga problemet ekzistuese. Ai foli për atë që e cilësoi si “pushtimi i zgjedhjeve nga shteti”, duke përfshirë përdorimin e individëve në proces dhe të pushtetit.
Një tjetër çështje që, sipas tij, duhet të trajtohet me prioritet është financimi i partive politike. Ai theksoi se fokusi nuk duhet të jetë vetëm te transparenca, por edhe te burimet e financimit, në mënyrë që partitë të mos bëhen të varura apo të cenueshme nga presionet.
"Do të jetë një punë me rëndësi siç është dëshmuar në të shkuarën. Sigurisht që do të na jepni mundësinë që gjithë tematikat tona, të punës së vendimmarrjes politike të Komisionit. Nuk duhet të përsëritet ajo që ndodhi në 2020 dhe që u ripërsërit me momentin e votimit të Avokatit të Popullit, ku në parlament i votua një gjë krejt tjetër. Ky Komision ka për objekt dhe detyrë që t’i trajtojë rekomandimet e OSBE/ ODIHR me konsensus. Duhet që ky Komision të marrë më të mirën e proceseve të shkuara të lërë mënjanë faktorët që kanë çuar në dështimin e proceseve. Kjo është parakusht që kjo reformë të ketë sukses.
Kjo do të jetë korniza që ne si opozitë, të jetë kjo që na udhëheq. Çdo gjë tjetër do të ishte e papranueshme. Edhe në të shkuarën kemi pasur situata që kanë pasur paqartësi dhe duke pasur ketë të qartë, të hartohet një strategji. Sistemi zgjedhor është një nga problemet që ne kemi, pushtimi i zgjedhjeve nga shteti është problematikë e madhe. Kur flas për pushtimin e zgjedhjeve nga shteti, kjo nis nga përdorimi i individëve në proces deri në përdorimin e pushtetit. Kemi vendosur ta nisim nga një çështje që është me rëndësi, partitë politike kanë interes për mënyrën se si do të financohen. Pra nuk duhet parë vetëm nga transparenca aspekti i financimit, por edhe nga burimet nëse janë të mjaftueshme apo të shëndosha që nuk i bën partitë të varura apo vunerabël të presioneve”, tha Bylykbashi.
Lini një Përgjigje