TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Shkurt 2026, 11:04

Rama takim me ministrat në Kryeministri

Shkruar nga Pamfleti
Rama takim me ministrat në Kryeministri
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të premte në ambientet e Kryeministrisë ministrat e kabinetit qeveritar për një analizë pune lidhur me ecurinë e dikastereve dhe institucioneve në varësi të tyre.

Sipas axhendës zyrtare, takimi pritet të zgjasë deri në orën 14:00. Nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi pikat konkrete të diskutimit, por mbledhja zhvillohet në një moment të ndjeshëm politik dhe institucional, pas zhvillimeve të fundit lidhur me pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Disa ditë më parë, Rama bëri publike edhe konkluzionet e mbledhjes së Grupit Parlamentar Socialist, të zhvilluar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për pezullimin e Ballukut.

Në një postim në rrjetin social “X”, Rama renditi tre konkluzione kryesore.

Sipas tij, funksionet kushtetuese të padelegueshme nga ai i anëtarit të qeverisë tek Presidenti i Republikës  nuk mund të pezullohen “nga askush duke u nisur nga një emër përveçëm”, pasi, sipas tij, pezullimi paralizon funksionin dhe institucionin që drejtohet nga zyrtari përkatës.

Ai theksoi se, nisur nga deklarata publike e Gjykatës Kushtetuese, ku anëtarët e trupës shfaqen unanimë për ekzistencën e problemit, por të ndarë për zgjidhjen, Grupi Parlamentar Socialist do të angazhohet për një ndërhyrje në legjislacion me qëllim zgjidhjen e situatës.

Rama deklaroi se “e vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u”, pasi në kushtet e pezullimit mund të vijojë hetimin përkatës. Ai shtoi se, deri në adresimin ligjor të çështjes, nuk ka urgjencë për të trajtuar kërkesën e SPAK-ut të bërë pas rënies së masës së pezullimit.

Në të njëjtin reagim, Kryeministri theksoi se qeveria do të vijojë të mbështesë Prokurorinë e Posaçme.

“SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen”, shkruan Rama.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të lënë në fuqi pezullimin e zëvendëskryeministres ka hapur një debat institucional mbi kufijtë e ndërhyrjes dhe balancën mes pushteteve. Paralajmërimi i shumicës për ndërhyrje në legjislacion pritet të shoqërohet me diskutime në Kuvend në vijim.

Mbetet për t’u parë nëse mbledhja e sotme e kabinetit do të prodhojë vendimmarrje konkrete administrative apo politike në raport me këtë situatë, ndërsa qeveria ka paralajmëruar se do të ndjekë rrugë ligjore për adresimin e ngërçit të krijuar.

rama takim me ministrat në kryeministri

Lini një Përgjigje