
Partitë e opozitës kanë reaguar lidhur me një rast sa të rrezikshëm, aq edhe të paprecedent për vendet demokratike, që një media të rrethohet me polici dhe gazetarët të mos lejohen të hyjnë në ambientet e punës, siç ndodhi mëngjesin e së shtunës me News24.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, e cilëson rrethimin me polici të grupit mediatic si “akt barbar”
“Narkoregjimi i Ramaduros, pa zbardhur dita, vërsuli falangat e narkoshtetit për të sekuestruar median News24. Dhjetëra forca policore e tatimore janë vendosur në hyrje të News24 si dikur në dyert e Agon Channel. Akti diktatorial i Ramaduros ndaj mediave që nuk i nënshtrohen do të marrë pergjigje nga opozita, si mbrojtësja e vetme e lirisë dhe shtypit të lirë e një vendi anëtar të #NATO-s dhe kandidat për në BE”, shprehet Noka.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që ndodhen në Tiranë të shkojnë pranë godinës së News24 për të shprehur solidaritet me median dhe për të denoncuar atë që e quan “akt diktatorial kundër lirisë së fjalës” në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për në BE.
Ndërkohë, deputetja e PD, Jorida Tabaku, shprehet se kjo është fytyra e vërtetë e qeverisë.
Ajo thotë se një pushtet që kontrollon çdo gjë, por kur nuk mund të blejë apo shantazhojë, përdor forcën.
“Kur regjimet kanë frikë nga e vërteta, dërgojnë policinë te dyert e medias. Ashtu si po ndodh sot në fillim të gushtit, kur forcat e policisë u shfaqën para News24, pa vendim gjykate, me skena dhune që i shkojnë vetëm një shteti autokratik. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisë: një pushtet që kontrollon çdo gjë, por kur nuk mund të blejë apo shantazhojë, përdor forcën. Rrethimi i News24 nuk është thjesht presion ndaj medias – është një sulm i hapur ndaj demokracisë. Një vend kandidat për BE nuk mund të trajtojë median kësisoj. Bashkimi Europian nuk pranon vende ku shtypi rrihet, ku gazetarët kërcënohen dhe ku e vërteta shkelet me çizme. Sot është Neës 24, nesër mund të jetë çdo zë i lirë. Dhe atëherë nuk do të ketë më kush të flasë”, tha Tabaku.
Gjithashtu, Dhurata Çupi shkruan në një postim në rrjetet sociale se dhuna ndaj News24 është dhunë ndaj medias së lirë.
“Nga dhuna në rrugë, te dhuna mbi fjalën.
Mbyllet News 24. Një zë më pak, një censurë më shumë.
Mbyllja e News 24 është një goditje e rëndë ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.
Një vend ku televizionet mbyllen në heshtje, ku zërat kritikë shuhet njëri pas tjetrit, qartazi instalohet regjimi diktatorial.
Ky është realiteti ku pushteti tenton të kontrollojë çdo media dhe ku pluralizmi mediatik pak nga pak rrezikon të shndërrohet në një kujtim. Heshtja sot për News 24 është heshtje për çdo media që mund të jetë nesër në të njëjtin fat. Prandaj duhet reagim shoqëror”, thekson Çupi.
Ndërsa Tedi Blushi, Sekretar i Përgjithshëm i PL-së, thekson se ky është një “agresion të armatosur të Ramaduros”, të kryer pa transparencë dhe pa vendim gjykate, duke e quajtur “akt kriminal ndaj fjalës së lirë, i denjë për regjimet më të errëta diktatoriale”.
“Agresioni i armatosur i “Ramaduros” kundër mediave dhe në veçanti ndaj gazetarëve të “News24”, “BalkanËeb”, “Panorama” dhe “Gazeta Shqiptare”, pa transparancë dhe pa asnjë vendim gjykate, që pengohen deri forcërisht të hyjnë në ambientet e tyre të punës, është një akt i pastër kriminal ndaj fjalës së lirë, i denjë për regjimet më të errëta diktatoriale, por i paralajmëruar prej kohësh”, shprehet Blushi.
Lini një Përgjigje