TAGS-AT E JAVËS

Politike31 Gusht 2025, 15:13

Sa miliona mori Chris LaCivita? Berisha i jep kohë vetes për deklarimin e kontratës, vonon certifikimin e zgjedhjeve

Shkruar nga Pamfleti

Sa miliona mori Chris LaCivita? Berisha i jep kohë vetes për

PD ankimon në Kolegjin Zgjedhor vendimin e Rregullatorit për certifikimin e zgjedhjeve...

Teksa na ndajnë 10 ditë nga mbyllja e mandatit të Kuvendit aktual dhe nisjes së legjislaturës së re, zgjedhjet e 11 majit nuk janë certifikuar ende.

Partia Demokratike ka vendosur të ankimojë në Kolegjin Zgjedhor vendimin e Komisionit Rregullator për miratimin e rezultatit final të 11 majit. Pritet që ankimi të bëhet nesër në Kolegj. Kjo do të sjellë vonesa në certifikimin e zgjedhjeve.

Por duket se me këtë manovër, Berisha i jep kohë vetes lidhur me deklarimin e shpenzimeve në fushatë. Teksa deputetët kanë deklaruar shpenzimet individuale, partitë nuk e kanë bërë akoma.

Sipas ligjit, çdo subjekt ka 2 muaj kohë nga dita e certifikimit të rezultatit. Pra me këtë shtyrje, PD i jep kohë vetes deri në fillim të nëntorit të na tregojë se sa miliona ka pagur për Chris LaCivita.

Kodi Zgjedhor është i qartë: “1. Subjektet zgjedhore janë të detyruara të paraqesin raport financiar për fushatën zgjedhore në KQZ brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve.

2. Raportet financiare hartohen sipas modeleve të miratuara nga KQZ-ja. Raporti, si rregull, duhet të përmbajë informacion për:

a) çdo dhurim, hua ose kredi që i është dhënë subjektit zgjedhor (duke përfshirë edhe degët dhe kandidatët e tij) gjatë fushatës zgjedhore dhe gjashtë muaj para fushatës dhe burimin e tij, përfshirë edhe dhurimet apo shërbimet në natyrë;

b) të ardhurat për qëllime të fushatës zgjedhore nga të gjitha burimet e tjera të lejuara;

c) të gjithë zërat e shpenzimeve për qëllime të fushatës zgjedhore, siç përcaktohen në vendimin e KQZ-së dhe në pikën 4 të nenit 92/2 të këtij ligji;

ç) bilancin e aseteve dhe detyrimeve të partisë politike për periudhën nga dekretimi i datës së zgjedhjeve deri në datën e zgjedhjeve”, thekson Kodi.

Po ashtu pritet me interes nëse PD do të deklarojë kontratën e lobimit në SHBA me vlerë 6 mln dollarë. Berisha ka tentuar ta shesë si shpenzim jashtë fushate, por Ilir Meta është në burg për shkak të një manovre të tillë. /Pamfleti

Lini një Përgjigje