TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Shtator 2023, 07:30

Sezoni i ri politik/ Katër zhvillimet që priten të ndodhin sot në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti
Sezoni i ri politik/ Katër zhvillimet që priten të ndodhin sot
Sezoni i ri politik

Ditën e sotme, e hënë 4 Shtator, pas përfundimit të pushimve verore, fillon zyrtarisht sezoni i ri politik.

Sot nis sesioni i ri parlamentar, ku priten përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës të paralajmëruara që në mbledhjen e parë të konferencës së kryetarëve.

Nga ana tjetër edhe Rama do të mbeldhë Asamblenë e PS ku ka paralajmëruar ndryshime dhe emërime të reja në kabinet.

Zhvillime gjithashtu priten edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për luftën mes PD.

Katër zhvillimet e parashikaura për ditën e sotme:

Asambleja e PS

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë sot Asamblenë e Partisë Socialiste.

Menjëherë, në opinionin publik u bë një lidhje mes Asamblesë së 26 korrikut dhe deklaratave të fundit të Ramës ku paralajmëronte ndryshime në qeveri.

Muajt e fundit kanë qenë një damkosje për Partinë Socialiste, duke qenë se një numër i konsiderueshëm personash që i përkasin kësaj partie janë arrestuar ose ndaj tyre kanë filluar hetimet.

I pyetur nga gazetarët se çfarë mendimi ka rreth këtij fenomeni, vetë lideri i PS-së, është shprehur se “kush ka ngrënë dardha pas shpinës sime të përballet me drejtësinë. Përgjegjësia është individuale. PS është forca e vetme që përkrahu këtë drejtësi të re”.

Kryeministri ka theksuar se ka besim absolut te Drejtësia e Re, ku jep një mbështetje të plotë për SPAK.

Kryesocialisti Edi Rama do të mbledhë asamblenë kombëtare më 4 shtator në orën 16:30 në Xibrakë.

Asambleja do të sjellë surpriza brenda selisë rozë, jo vetëm në riorganzimin dhe riformatimin e strukturave përbërëse të partisë, por veçanërisht në caktimin e ministrave të kabinetit qeveritar.

Në mbledhjen e fundit të Asamblesë në muajin korrik, u shkarkua i gjithë sekretariati i PS, të cilët do të zgjidhen nga Kongresi i PS-së në fund të shtatorit. Në muajin korrik, Damian Gjiknuri u shkarkua nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm në PS, duke u zëvendësuar nga Blendi Klosi.

Sakaq pati ndryshme në Ministrinë e Brendshme. Taulant Balla u emërua si Ministër i Brendshëm, pasi Bledi Çuçi u shkarkua nga detyra.

Shkarkimi i tij nga posti i Ministrit të Brendshëm, post të cilin e mbante prej 2 vitesh e gjysmë, erdhi pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Fushë-Krujë, ku anëtarë të fisit Rraja (mes tyre djali dhe vëllai i ish-deputetit të PS-së Rrahaman Rraja) dhunuan dy anëtarë të fisit Maja të cilët u ankuan për guroren e tyre.

Sot nisin punimet e Kuvendit

Një tjetër zhvillim që do të ketë 4 shtatori është çelja e Kuvendit.

Në orën 10:00, nis sesioni i pestë i legjislaturës së 10 në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo rinisje e punimeve të Kuvendit vjen me ndryshime në grupet parlamentare, me socialistët që do të kenë një drejtues të ri dhe kampet e PD-së që vijojnë të bashkohen disa e të ndahen disa të tjerë mes tyre.

Një sërë projektligjesh të mbartura nga sesioni i kaluar do të marrin kohën e tyre në javët në vijim. Ligji për bashkëpunëtorët e ish sigurimit, do të jetë prioritet për socialistët, ku personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit nuk do të mund të zgjidhen më në asnjë post të rëndësishëm e aq më pak të kandidojnë për deputet apo kryetarë bashkie. Kjo pikë i ka kaluar komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.

Kuvendi i zhvillon punimet vjetore kalendarike në dy sesione.

Sesioni i parë i punimeve të Kuvendit fillon të hënën e tretë të janarit, ndërsa sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit.

Presidentja e Kosovës vizitë në Tiranë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të nisë sot vizitën zyrare në Tiranë me ftesë të homologut Bajram Begaj.

Osmani pritet të mbërrijë në orën 10:00 dhe do të pritet me ceremoni zyrtare nga Begaj. Kjo është vizita e parë e Osmanit në Tiranë që prej abulimit të mbledhjes së dy qeverive, pas tensioneve në veri të Kosovës.

Më pas Osmani do të zhvillojë një takim me kreun e shtetit që do të përmbyllet me një konferencë të përbashkët për shtyp.

Sipas Presidencës, presidentja e Kosovës ka parashikuar edhe takime të tjera të nivelit të lartë, ku përmendim këtu takimin me Kryeparlamentaren Lindita Nikollën në orën 14: 35, në Kryesinë e Kuvendit.

Mblidhja e KQZ

Sakaq, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvillon seancë publike në datën 4, në orën 12:00.

Rendi i ditës do të ketë shqyrtimin e kërkesës së PDSh-së për t’u regjistruar në zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Kukës, që do të zhvillohen më datë 24 Shtator 2023.

Njëkohësisht dhe kërkesën e Berishës, për t’u regjistruar në garë me PD-në, sikurse dhe për PS-në, PL-në dhe Partinë për Europianizimin dhe Integrimin e Shqipërisë.

Gjithashtu do të jenë në rend dite dhe projektvendimet për plotësimin e vakancave në bashki të ndryshme të vendit.

4 shtatori ps kuvendi pd rama

Lini një Përgjigje