
Një ditë pasi Kuvendi Kombëtar i PD-së i thirrur nga kryetari Lulzim Basha, shkarkoi Gazment Bardhi, ky i fundit nisi përpjekjet në formën e tij për të bashkuar demokratët, duke thirrur në një takim të gjithë deputetët e opozitës. Por kjo e lëvizje e Gazment Bardhit, sipas anëtarit të kryesisë së PD-së, Fitim Zekthit, është në funksion të Foltores.
I ftuar në “Report Tv”, Zekthi u shpreh se Gazment Bardhi po bën veprime absurde e se lëvizjet e tij kërkojnë që të legjitimojnë Foltoren. Sipas Zekthit, Bardhi nuk u shkarkua, por dje nga Kuvendi Kombëtar u kryen ndryshime, dhe fakti që kryetari do të jetë edhe kryetar i grupit parlamentar është një korrigjim që duhej berë.
"Nuk është shkarkuar asnjë dje nga Kuvendi. Dje Kuvendi ka miratuar ndryshime statutore. Janë procedura normal e politike. Sa i takon faktit që kryetari do të jetë edhe kryetar i grupit parlamentar është një korrigjim një rregullim që duhej. Është ndjekur një logjikë e saktë. Kryetari i partisë në opozitë drejton grupin parlamentar. Bardhi ka hyrë në një rrugë të palogjikshme politike. Kur dikush nuk bie dakord me diçka Ai po sajon mbledhje dhe bën mbledhje. Bardhi duhet të respektojnë isntitucionet dhe jo të bëjë si ti teket. Është një strukturë ekzekutive nuk ka asnjë të drejtë. Është një gjë absurde e palogjikshme. Si e thërriska kryetari i grupit parlamentar mbledhjen e grupeve të tjera. Po bën veprime të palogjikshme dhe absurde por s’mund të jenë veprime që kanë të bëjnë me opozitën. Bëhet të legjitimojë lëvizjen politike të Foltores", tha Zekthi.