TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Maj 2025, 21:31

Shtyu shpalljen e rezultateve nga numërimi elektronik, PS sulmon Celibashin: Vendim arbitrar, po i shërben opozitës

Shkruar nga Pamfleti

Shtyu shpalljen e rezultateve nga numërimi elektronik, PS sulmon

Duket se vendimi për të shtyrë publikimin e rezultatit në Vorë dhe Njësinë 10 ka lidhje me ruajtjen e një standardi zgjedhor

Partia Socialiste sulmon Kryekomisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Përmes një deklarate nga selia e PS-së, Helena Kaçe, e konsideroi të paligjshëm vendimin për të shtyrë publikimin e rezultatit për Vorën dhe Njësinë 10, ku është aplikuar numërimi elektronik i votave. Madje në akuzat e saj, PS shkon deri atje sa e akuzon Celibashin se me një vendim të tillë po i shërben taktikave elektorale të opozitës.

PS ka reaguar lidhur me vendimin e KQZ-së për shtyrjen e publikimit të rezultatit të votimit elektronik në Vorë dhe njësinë nr 10, duke e cilësuar si një vendim arbitrar.

Celibashi tha se vendimi është dakordësuar me partitë politike, por socialistët me mbylljen e procesit të votimit, duket se nuk janë dakort me shtyrjen e publikimit të rezultateve.

Duket se vendimi për të shtyrë publikimin e rezultatit në Vorë dhe Njësinë 10 ka lidhje me ruajtjen e një standardi zgjedhor, pasi numërimi i kutive të votimit në KZAZ-të ku po mblidhen pritet të nisë nga mesnata. Gjithsesi në Pustec në Qarkun e Korçës ka nisur numërimi, dhe gjithashtu do të numërohen edhe votat e Diasporës që i përkasin Qarkut të Korçës.

“Mosnxjerrja e rezultateve të Vorës dhe Njësisë 10 nga KQZ, me një vendim arbitrar që bie ndesh me logjikën e votimit elektronik, me traditën e shpalljes menjëherë të rezultatit, si edhe me vetë arsyen e investimit jo të vogël që është bërë për infrastrukturën elektronike, është një vendim arbitrar, i gabuar dhe zhgënyes për rolin e KQZ si garant i Sovranit popull, e jo i nevojave taktike të partive politike.

Jemi të keqardhur për këtë dhe u bëjmë thirrje Partisë Socialiste të Vorës si edhe mbështësve tanë në Vorë të ruajnë qetësinë”, thuhet në një deklaratë të PS-së.

Në vijim theksohet se rezultati është në kuti dhe mos kini asnjë dyshim se asgjë dhe askush nuk e ndryshon dot atë. Ju jeni dallandyshja e parë e një fitoreje që do të jetë e paharrueshme në historinë e Partisë Socialiste.

“Urime, urime, urime!

Të gjithë socialistët e përfshirë në proces në të gjithë Shqipërinë duhet të ruajnë qetësinë, t’u shmangen provokimeve dhe të nxjerrin me durim fitoren nga kutitë ku populli Sovran ka kyçur vendimin e tij historik”, tha Helena Kaçe.

Lini një Përgjigje