Rama vijon me sulmet ndaj partive të reja, i krahason me LSI...
Kryeministri Edi Rama, nuk është kursyer as sot ndaj partive të reja. Nga Burreli ai i akuzoi sërish se po tentojnë të marrin rolin e LSI, duke treguar se diçka e shqetëson kryeministrin. Sinjalet janë se Rama u trembet sondazheve.
Duke parë 4 sondazhet kryesore, Shqipëria Bëhet, Partia Mundësia dhe Lëvizja Bashkë, shkojnë së bashku nga 14% në 18%, një shifër mjaft interesante. Nëse do ishin bërë bashkë, do të kishin siguruar shumë deputetë. Por edhe të ndara duket se e trembin kryeministrin, i cili duket se ka lënë pas Berishën e Bashën dhe po godet të rinjtë.
“Seç janë ca që kanë dalë që thonë jemi parti të reja. Janë thjeshtë formacione që të re kanë vetëm moshën e kryetarëve. Janë nga e njëjta farë që polli ndjesë pastë LSI-në. Çfarë na duhen ne këta, këto farëra që pa dalë akoma veza, thonë që nëse ne do ta kemi në dorë, do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Ne kemi në dorë fatin Europian të Shqipërisë, dhe nga një anë kemi një kënetë dhe një Buf kënete, një njeri i lodhur dhe harron kryefjalën që ka dhënë dhe del me një kallëzues tjetër dhe nuk lë gjë pa thënë për popullin e vet sikur vijnë nga një diktaturë afrikane, dhe nga ana tjetër kemi këta të tjetër. Si mund tu lihet në dorë fati i vendit këtyre”, u shpreh Rama në Burrel.
Por si kuotohen në sondazhe partitë e Shehajt, Lapajt dhe Qorit?
Partia Mundësia dhe nisma Shqipëria Bëhet shfaqen si forca politike me potencial real për të kaluar pragun elektoral. Mundësia varion nga 5% (McLaughlin) deri në 6.5% (Noto), ndërsa Shqipëria Bëhet arrin deri në 9% sipas Piepoli, por bie në 4.2% sipas McLaughlin. Ndërsa Lëvizja Bashkë me mbështetje që sillet nga 0.5% (Piepoli) deri në 2.4% (Barometri).
Sinjalet janë se këto 3 parti mundtë marrin disa deputetë, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qarqe të tjera dhe kjo ka shqetësuar Bablokun.
Të dhënat e sondazheve
Partia Mundësia
Barometri: 6.3% (4.8%-7.8%)
McLaughlin: 5%
Piepoli: 3.5-5.5%
Noto: 6.5%
Shqipëria Bëhet
Barometri: 6.7% (5.2%-8.2%)
McLaughlin: 4.2%
Piepoli: 7-9%
Noto: 5.5%
Lëvizja Bashkë
Barometri: 2.4% (1.4%-3.4%)
McLaughlin: 1.1%
Piepoli: 0.5-2.5%
Noto: 2%
/Pamfleti
Lini një Përgjigje