Arratisja e Amant Josifit të “Call-Center” e Trifon Muratajt të “Bana King” në nëntor 2022, ka krijuar indicie e madje ka edhe prova, se ata janë vënë në dijeni nga policia e shtetit para prangosjes; ndërsa me polici në vartësi të SPAK, urdhër arrestet janë me cikël të mbyllur brenda prokurorit, gjyqtarit e skuadrës që i zbatojnë...
Shumë eksponentë të botës së krimit, të lidhur me krerë të kupolës shtetërore e familjarë të tyre, si Klodian Zoto e Mirel Mërtiri të landfilleve; Amant Josifi ortak i Olsi Ramës në “Call Center”; Trifon Murataj i “Bana King”, sponsor i fushatave të PS; Florenc Çapja e Talo Çela të PS së Elbasanit etj., janë arratisur pasi policia ka marrë urdhrat e SPAK për arrestimin e tyre.
Në 3 vite, SPAK-ut i ka shpëtuar nga arrestimi e janë shpallur në kërkim 187 persona, ndërsa në 10 muajt e drejtimit nga Altin Dumani, janë arratisur 32 persona, pas dërgesës së urdhër arresteve te policia; që do të thotë, se ata janë njoftuar e janë lejuar t’ia mbathin në Dubai.
Këtë fakt e ka deklaruar ish-drejtuesi i SPAK, Arben Kraja dhe drejtuesi aktual Altin Dumani para mediave, të cilët kanë thënë, se arratisjet e personave të proceduar penalisht, ndodhin ngaqë vendimet e arrestimeve dekonspirohen pasi çohen te policia.
Për t’i dhënë fund lojës së arratisjeve pasi dalin urdhër-arrestet, Altin Dumani, në muajin shkurt, 3 muaj pas marrjes së detyrës, ka çuar te kryeministri Edi Rama, te komisionet parlamentare të sigurisë, ligjeve e financave, kërkesën për krijimin e strukturës së veçantë policore të SPAK.
Kjo strukturë policore, është kërkuar të jetë me 30 oficerë e agjentë policie në vartësi të vetme të SPAK, si “agjenci hermetike” që do ekzekutojë urdhër-arrestet e lëshuara nga SPAK e gjykata speciale, duke ia hequr këtë shërbim policisë së shtetit.
Sepse fakti i arratisjes së Amant Josifit të “Call-Center” e Trifon Muratajt të “Bana King” në nëntor 2022, ka krijuar indicie e madje ka edhe prova, se ata janë vënë në dijeni nga policia e shtetit para prangosjes, siç u veprua edhe me arratisjen e ish-krye prokurorit Adriatik Llalla.
Kjo kërkesë e SPAK e bërë 8 muaj më parë, paçka se përcaktohet në ligjin për funksionimin e prokurorisë speciale, nuk po zbatohet nga kryeministri Edi Rama, ndërsa drejtuesit e 3 komisioneve parlamentare po heshtin, mbasi nuk guxojnë të flasin pa lejen e Bablokut.
Kryeministria nuk po e miraton krijimin e policisë së SPAK-ut, me justifikimin se nuk ka mundësi financiare dhe nuk do ketë planifikim fondi as në buxhetin e SPAK për vitin 2024.
Por e vërteta, që Babloku po bllokon këtë kërkesë, nuk është mungesa e fondeve, sepse fondi vjetor për 30 oficerë policie që kërkon SPAK-u, është sa 5% e fondeve vjetore që qeveria u jep OJF-ve patronazhiste.
Bllokimi i saj, ka si qëllim që urdhrat e lëshuar nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme, për arrestime zyrtarësh e kriminelësh, të vazhdojë të jetë kompetencë zbatimi nga Policisë e Shtetit.
Gjersa policia varet nga Edi Rama, ata që nuk duhen çuar në pranga, do njoftohen të arratisen; por ashtu si deri tani, askush nuk do mbajë përgjegjësi për dekonspirimin e urdhër arresteve.
Ndërsa krijimi i policisë në vartësi të SPAK, i jep fund dekonspirimit, mbasi urdhër arrestet janë me cikël të mbyllur brenda prokurorit, gjyqtarit e skuadrës që merr urdhrin, dhe konstatohet cilët dekonspirojnë arrestimet./Pamfleti
Lini një Përgjigje