Politike25 Tetor 2023, 08:25

Sot seanca në GJKKO, Berisha mbledh Kryesinë e PD

Shkruar nga Pamfleti

Sot seanca në GJKKO, Berisha mbledh Kryesinë e PD

Pas dështimit të seancës së djeshme, mbahet sot gjyqi ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet nën hetim për korrupsion pasiv dhe pastrim parash për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Në lidhje me këtë akuzë, berisha është lënë në masën "Detyrim Paraqitje".

Mësohet se seanca për ish-kryeministrin është vendosur për në orën 14:30.

Ditën e djeshme, Berisha duhej të njihej me masën e sigurisë, por avokatët e tij kanë shkuar me skenar. Ata kërkuan përjashtimin e gjyqtares, Irena Gjoka, pasi pretendojnë se ajo ka shkelur Kushtetutën. Sipas tyre, Berisha ka imunitet deputeti dhe nuk mund të ketë masë sigurie.

Po ashtu ata kanë kërkuar të njihen me aktet e dosjes. Fillimisht seanca u shty për në orën 18:00, por më vonë u vendos të mbahet sot në orën 14.30, ku dhe do shihet nëse do pranohet kërkesa për përjashtimin e gjyqtares.

Vetë avokati, Genc Gjokutaj informoi se ata kanë bërë edhe një padi në SPAK ndaj saj për shpërdorim detyre.

“Sot është bërë kallëzim në SPAK ndaj gjyqtares për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Pasi vendimi bie ndesh me Kushtetutën. Ne kemi kërkuar përjashtimin e gjyqtares, Irena Gjoka dhe gjykimi është ndërprerë për të shqyrtuar këtë kërkesë. Ne po presim për vendimin e shqyrtimit të kërkesës për përjashtimin e saj. Jemi për një proces të rregullt dhe një mbrojtje efektive. Do të presim vendimin e gjykatës”, tha avokati Gjokutaj.

Ndërkohë, Berisha sot në orën 12:00 ka njoftuar mbledhjen e Kryesisë së PD-së, ku thuhet se do të diskutohet për zhvillimet e fundit politike.

“Ditën e mërkurë ora 12.00 në ambientet e selisë së PD-së do të zhvillohet mbledhja e Kryesisë PD me rend dite: 1- Diskutime rreth zhvillimeve të fundit politike. 2-Të ndryshme …”, thuhet në njoftim.

Ndërsa pas Kryesisë, Berisha pritet të mbledhë ditën e premte Këshillin Kombëtar me qëllim diskutimin për situatën politike në vend dhe hapat që do të ndërmerren në vijim.

“Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar, ditën e premte dt. 27 tetor, ora 18.00 në selinë e PD do të mblidhemi për të diskutuar situatën politike dhe hapat që do të ndërmarrim në vazhdim”, thuhet në njoftim.

Pas sabotimit të seancës së djeshme, Berisha zgjodhi të mbajë një konferencë me gazetarët në orarin e caktuar nga GJKKO për marrjen në pyetje të ish-kryeministrit lidhur me privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.

Berisha e cilëson aktakuzën si politike, pasi sipas tij, pas dosjes së Prokurorisë së Posaçme Anti Korrupsion qendron kryeministri, Edi Rama.

“Kjo është një aktakuzë e turpshme, ndaj një reforme që edhe sot ekziston. Bonot përdoren si detyrim ndaj qytetarëve, pasi u privatizua një ekonomi e tërë dhe ata mbetën duarbosh. Problemi është aktakuzë politike e mirëfilltë ndaj reformave. PD nuk heq dorë asgjë nga programi i saj. Ndihem i nderuar për çdo akt dhe ligj që ka ndërmarrë. Të gjesh gjykatës që analizojnë ligjet dhe t’i lejojnë vetes të shpifin, kjo ndodh vetëm në mitologji, por, kjo nuk na dekurajon”, tha Berisha.

seance gjkko berisha kryesi pd