TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Prill 2026, 18:29

Statuti i PD sërish drejt gjykatës? Alesia Balliu kërkesë Kryesisë: Zbatoni "nenin Basha", Berisha s'mund të garojë për kryetar

Shkruar nga Pamfleti
Statuti i PD sërish drejt gjykatës? Alesia Balliu kërkesë
Berisha & Alesia Balliu

Kërkesa për zbatimin e nenit 46 vë në dyshim mandatin e Berishës dhe rrezikon ta çojë përplasjen në gjykatë

Çështja e kreut të PD rrezikon të përfundojë sërish në dyert e gjykatës. Kur Berisha u rikthye si kryetar, premtoi me të madhe se nuk do të ishte si Lulzim Basha, e për këtë arsye në kuvendin e mbajtur në vitin 2021 propozoi ndryshimin e nenit 46.

Në këtë nen thuhet: “Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie”.

Pikërisht ky ndryshim rrezikon të fundosë Sali Berishën. Më 23 maj PD mban zgjedhjet për kryetarin dhe Sali Berisha ka vendosur të rikandidojë, duke mos zbatuar këtë pikë të nenit me argumentin se zgjedhjet u vodhën. Askush brenda PD nuk ka pasur guximin t’i kërkojë zbatimin e statutit. Edhe ata që dikur e kritikonin, sot i janë ulur në gjunjë.

Por rikonfirmimi si kryetar nuk do të jetë aq i lehtë, pasi çështja mund të përfundojë në gjykatë.

Nënkryetarja e FRPD, Alesia Balliu, i është drejtuar Kryesisë së PD me anë të një shkrese, duke kërkuar konstatimin e mbarimit të mandatit të Berishës si kryetar të PDSH, pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit 2025. Në shkresë theksohet se Berisha ushtron pa mandat detyrën e kryetarit të PD, prej 9 shtatorit 2025.

Duke iu referuar parashikimeve të nenit 46, i pagëzuar nga Berisha si neni “Basha”, Balliu thotë se në krye të PD duhet të komandohet Flamur Noka, në detyrën e Kryetarit të Komanduar të PDSH-së deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Siç përcakton qartë kjo dispozitë, mandati i kryetarit ka mbaruar që në datën 04.09.2025 dhe që prej asaj date shtetasi Sali Ram Berisha nuk mund të ushtrojë më funksionet e kryetarit të PDSH-së, pasi një veprim i tillë bie ndesh me një dispozitë urdhëruese të Statutit. Në zbatim të nenit 48 të Statutit, është detyra e Kryesisë së PDSH-së që në mungesë të vullnetit institucional të uzurpuesit të pozicionit të kryetarit të PDSH-së, të ndërmarrë veprimet e nevojshme institucionale për të vendosur në vend legjitimitetin e organeve drejtuese të PDSH-së”, thuhet në kërkesë.

Duke iu referuar statutit të Partisë Demokratike, Balliu kërkon jo vetëm konstatimin e përfundimit të mandatit të Berishës, por edhe ndalimin e kandidimit të Berishës për postin e kryetarit në zgjedhjet e 23 majit 2026.

Në shkresën e saj theksohet se “çdo vendimmarrje e Berishës pas datës 04.09.2025 është absolutisht e pavlefshme dhe, si e tillë, nuk mund të sjellë pasoja ligjore për sa kohë që organi që i ka ndërmarrë ato nuk ka qenë në funksion pas përfundimit të mandatit”. Data 04.09.2025 shënon hyrjen në zbatim të Vendimit nr. 34 të Komisionit Rregullator dhe të Vendimit nr. 30 të Kolegjit Zgjedhor, të cilat janë njohur dhe respektuar edhe përmes veprimeve konkludente nga ana e PDSH-së.

Por lëvizja e saj është një sinjal se rasti mund të përfundojë në gjykatë. Vetë Ervin Salianji e ka paralajmëruar disa herë se po shkelet Statuti, teksa ka thënë se ai vetë nuk do të vihet në shërbim të Ramës për të hapur një proces gjyqësor.

Megjithatë, sinjalet janë se kjo çështje do të përfundojë në gjykatë, pasi është e shkruar e zeza mbi të bardhë se Berishës nuk i lejohet kandidimi. Sinjalet janë dhënë, ndërsa gjithashtu po bëhet e qartë se një përplasje e fortë pritet brenda demokratëve. /Pamfleti

 

balliu berisha

Dokumenta bashkëngjitur

Lini një Përgjigje