TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Janar 2026, 21:20

Taulant Balla: Të ndryshojmë marrëdhënien me diasporën, nuk duhet të kujtohemi vetëm për votat

Shkruar nga Pamfleti
Taulant Balla: Të ndryshojmë marrëdhënien me diasporën,
Balla në Kuvend

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar nga foltorja e Kuvendit një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si trajtohet diaspora shqiptare, duke e cilësuar të pafalshme që institucionet e shtetit shqiptar të kujtohen për të vetëm në prag zgjedhjesh.

Balla theksoi se diaspora nuk duhet të trajtohet si një aset elektoral, por si një partner i përhershëm në zhvillimin e vendit. “Diasporën nuk duhet ta kujtojmë vetëm kur afrojnë zgjedhjet. Nuk është serioze të kujtohemi për diasporën një muaj para votimeve, pastaj ta harrojmë për katër vjet. Kemi kaluar një fushatë të gjatë e intensive për regjistrimin e votuesve jashtë vendit dhe shumëkush u angazhua, por nuk mund të ndalemi aty”, deklaroi ai.

Ai nënvizoi se marrëveshja me Italinë, për të cilën po votohej në seancë, është “një nga më të rëndësishmet historikisht mes dy vendeve tona” dhe se raportet mes shqiptarëve të Italisë dhe shtetit italian janë prova e vërtetë e kësaj lidhjeje. “Italia ka qenë ndër të parat që na hapi dyert. Që nga korriku i 1990-ës e deri më sot, populli dhe shteti italian kanë treguar mikpritje dhe respekt për shqiptarët. Ne kemi mijëra studentë, profesionistë e familje që jetojnë e kontribuojnë atje. Ata janë një urë reale mes dy kombeve”, tha Balla. 

Duke iu drejtuar opozitës, Balla bëri thirrje për një bashkëpunim real dhe të qëndrueshëm për të ndërtuar një strategji të re kombëtare për diasporën. “Partia Demokratike është një forcë e vjetër politike. Ju ftoj sinqerisht, të ulemi dhe të hartojmë një plan konkret. Jo deklarata për diasporën në konferenca shtypi, por një dokument serioz, i dakordësuar në Kuvend. Kemi ngritur një komision të posaçëm parlamentar për marrëdhëniet me diasporën; ai nuk mund të jetë formalitet”, tha ai.

Në vijim, ai paralajmëroi se më 14–15 prill do të mbahet Samiti i Diasporës dhe ky nuk duhet të trajtohet si “një event i radhës” i qeverisë. “Ky nuk është thjesht samiti i Ministres Spiropali apo i ndonjë drejtori. Ky është samiti i shqiptarëve të botës. Duhet të jetë edhe samiti i Kuvendit. Të gjithë deputetët, qoftë të mazhorancës, qoftë të opozitës, duhet të përfshihen aktivisht. T’u japim zë shqiptarëve jashtë vendit. Të na shohin si shtet që kujdeset për ta, jo si votëkërkues sezonalë”, vijoi ai. 

Balla përmendi gjithashtu edhe faktin që shumica e regjistrimeve të votuesve nga diaspora për zgjedhjet e fundit erdhën nga Italia, por se përfshirja ishte më e gjerë: “Nga Greqia, Gjermania, Britania e Madhe, SHBA, Kanadaja e vende të tjera të Europës, shqiptarët janë aktivë. Kanë ide, kanë ekspertizë, kanë potencial ekonomik. Ne nuk duhet ta shpërdorojmë këtë energji.”

balla kuvend diaspora

1 Komente

  1. C
    Celsi

    Ato Shqiptare qe kane ikur kane ikur se nuk mund te punojne me njerez si puna jote dhe nuk duan te perfaqesohen nga nje kryeminister klloun, apo me nje opozite e mbaruar me fshatare dhe lepires.

    Lini një Përgjigje