Mes frikës nga dezertimet, izolimit ndërkombëtar dhe protestës që po zmadhohet çdo ditë, kryeministri po kërkon një formulë shpëtimi përpara se kriza të hyjë në pikën pa kthim...
Edi Rama, mësohet se ka pezulluar daljet publike të politikanëve socialistë deri pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, duke kufizuar maksimalisht komunikimin politik.
Incidenti me Ardit Bidon ka krijuar ankth në radhët e mazhorancës se linçimi fizik i zyrtarëve të saj mund të shndërrohet në një praktikë të përsëritur nga grupe të caktuara protestuesish, çka rrezikon ta fusë situatën në një spirale kaosi.
Ndërkaq, protesta e së dielës pritet të ketë një pjesëmarrje shumë më të madhe, edhe si pasojë e një karvani të gjatë automjetesh që është nisur nga Gjermania dhe pritet të mbërrijë në Tiranë gjatë paradites.
Skenari paraprak parashikon që protesta masive të vijojë gjatë gjithë natës përpara Kryeministrisë, duke krijuar një hapësirë kohe për një zgjidhje politike pa tensione.
Sipas burimeve, organizatorët pritet të shpallin një platformë me disa pika konkrete, si dhe një afat të caktuar për t’i dhënë kohë qeverisë të reagojë.
Nga ana tjetër, Edi Rama duket i gatshëm të shqyrtojë një zgjidhje politike, por hapësirat që ka në dispozicion po ngushtohen gjithnjë e më shumë.
Prej disa ditësh ekziston një korridor i kufizuar komunikimi, jo negociatash të drejtpërdrejta, por bisedimesh indirekte, ku faktorët e vetëm që komunikojnë me protestën janë ambasadat e vendeve të Bashkimit Europian.
Mësohet se kanë qenë pikërisht qarqe diplomatike europiane që i kanë bërë të ditur Edi Ramës se çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme, me të njëjtin kuadër ligjor dhe politik, konsiderohet një provokim.
Një provokim që, nëse realizohet, mund të rezultojë edhe më i kushtueshëm politikisht për vetë Ramën.
Sepse ekziston rreziku që produkti i atyre zgjedhjeve, përkatësisht parlamenti i dalë prej tyre, të vihet në diskutim për legjitimitetin e tij, duke e futur vendin në një krizë edhe më të thellë.
Ndërkohë, një tjetër shpresë e Edi Ramës ka qenë mbështetja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli.
Por deri tani nuk ka pasur asnjë lëvizje konkrete nga aleatët e tij apo nga qarqet me të cilat komunikon.
Vizita e papritur e Edi Ramës në Berlin kishte si qëllim pikërisht krijimin e një kanali komunikimi me qeverinë gjermane, përmes ndërmjetësve të fuqishëm nga bota e biznesit dhe e lobimit.
I gjendur në një ngërç të thellë dhe, mbi të gjitha, i mbetur pothuajse i vetëm në raport me partnerët ndërkombëtarë, Edi Rama duket se po kërkon nga deputetët e Partisë Socialiste një platformë të përbashkët për daljen nga kriza.
Një platformë që më pas do të miratohej politikisht dhe do të bëhej publike.
Marrë shkas nga rasti i “neomalësores”, siç mësohet, kryeministri kërkon të marrë një konfirmim politik nga deputetët e tij, duke i detyruar të gjithë të tregojnë nëse janë ende me të apo nëse po ndjekin rrugë të tjera politike.
Frika nga një efekt domino i largimeve të deputetëve, nën presionin e protestave, izolimit ndërkombëtar dhe hetimeve të SPAK-ut, është tashmë e pranishme në mënyrë të dukshme.
Sipas burimeve, Rama do t’u kërkojë deputetëve të miratojnë një paketë politike për menaxhimin e situatës dhe uljen e tensioneve.
Madje, në maksimumin e mundshëm.
Sepse shqetësimi kryesor i tij është se protesta e madhe e së dielës mund ta çojë situatën në një pikë vlimi, prej së cilës nuk do të ketë më kthim pas.
Dhe pikërisht ky është skenari që sot po tremb më shumë kryeministrin sesa vetë protesta./Pamfleti
Lini një Përgjigje