Politike17 Tetor 2023, 18:23

Transferimi i të burgosurve nga Britania, Manja vizitë zyrtare në Londër për finalizimin e marrëveshjes

Shkruar nga Pamfleti

Transferimi i të burgosurve nga Britania, Manja vizitë zyrtare në

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja është nisur sot për një vizitë zyrtare në Londër, me ftesë të Sekretarit të Shtetit për Drejtësinë në Mbretërinë e Bashkuar, Alex Chalk.

Mësohet se në qendër të këtij takimi do të jetë nënshkrimi i marrëveshjes dy-palëshe për transferimin e të dënuarve shqiptarë nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri. Sipas marrëveshjes rreth 200 persona do të kthehen në Shqipëri dhe kostot do të paguhen nga Britania.

Përveç takimit me homologun e tij britanik, ministri Manja do të zhvillojë edhe takime të tjera të nivelit të lartë politik, siç janë takimet në Parlamentin dhe Gjykatën Supreme, me të cilët do të diskutojë mbi çështje të ndryshme të sistemit të drejtësisë.

Gjithashtu ai do të zhvilloje një takim dhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në fushën e drejtësisë dhe biznesit.

Me rëndësi të veçantë për Ministrin Manja do të jetë vizita në burgun e meshkujve në Pentonville, ku do të takojë shtetasit shqiptarë që janë në pritje të dënimit nga gjykatat britanike. Kjo është hera e parë që një ministër drejtësie zhvillon një takim të tillë dhe ka në fokus kushtet e trajtimit të shtetasve tanë, problematikave që hasin, veçanërisht përsa i përket diskriminimit dhe paragjykimeve apo mundësive që kanë pasur për të komunikuar me familjet e tyre. 

 

manja britania