
Presidenti i PL, Ilir Meta, ka pasur një bisedë telefonike me gazetarët, teksa ngjiti shkallët e SPAK, ku po i komunikohen akuzat dhe po merret zyrtarisht i pandehur.
Meta tha se në 11 maj u votua nga 8 mijë qytetarë të cilët i quajti heronj, ndërsa shtoi se mbështetësit e tij u tradhtuan.
Kreu i PL hodhi akuza në adresë të "tradhtarëve". Edhe pse nuk përmendi emra, dyshimet janë se mesazhi ishte për Braimllarin.
Ilir Meta: Askush nuk është paraqitur për të më shoqëruar për atje. Kam dhe hallin e avokatit tim që po humb kohën kot. Mezi po pres të shkoj, që në radhë të parë t’i uroj (SPAK-ut) për 83 mandatet që i dhanë me task forcën e tyre kundër opozitës dhe me task forcën e tyre për të mosvepruar kundër terroristëve elektoralë, në këmbim të mandatit që ata presin nga Edi Rama që të jenë të përjetshëm. Nuk i kuptojnë dot krimet intelektuale të Edi Ramës dhe inceneratorin që nuk ekziston.
Mezi pres dhe nuk kam kurrë ndërmend të kërkoj mbylljen me procedurë, do ketë gazetarë ndërkombëtarë në sallën e gjyqit, do shihni shkrimet e Mero Bazes dhe faktet, provat se çfarë është kjo organizatë në shërbim të Edi Ramës, pjellë e një votimi antikushtetues me 69 vota të Prokurorit të Përgjithshëm Arta Marku, që zgjodhi KLP-në mënyrë të paligjshme dhe që zgjodhi këta. Është një proces që do të fitohet siç fitoi Presidenti Ilir Meta proceset hetimore që mori parlamenti me 122 kartonat kundër Presidentit të Republikës.
I falenderoj 8 mijë heronjtë që votuan për Ilir Metën që u rrëmbye në atë mënyrë terroriste me vetëdije me firmën e Altin Dumanit dhe të kolegëve të tij. I falënderoj të gjithë ata shokë dhe miq që punuan por që u tradhtuan nga një maskara i cili me porosinë time është shpallur non grata dhe këtë e di Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, i cili dorëzoi listën prej 12 mijë emrash që kishin bërë shokët, miqtë dhe dashamirësit e Ilir Metës te patronazhistët, sepse priste që të bëhej Sekretar i Përgjithshëm në vend të Tedi Blushit…
Lini një Përgjigje