Në një komunikim të brendshëm, Rama ka shprehur pakënaqësinë e tij për iniciativat personale të disa kandidatëve që kanë kërkuar rinumërim apo verifikim të pamjeve filmike, duke i cilësuar si të panevojshme dhe të dëmshme për imazhin e fitores së PS-së.
Kandidatët socialistë për deputetë, Etilda Gjonaj dhe Xhemal Qefalia kanë tërhequr kërkesën e tyre për të parë pamjet filmike të numërimit të votës preferenciale.
Kjo tërheqje e dy kandidatëve socialistë vjen pas kërkesës së kryesocialistit Edi Rama për të mos kontestuar rezultatin.
“Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale!
Natyrisht që s’mund të ndaloj askënd të veprojë me kokën e vet, por, duke qenë se këtu në këtë dritare jemi ende një skuadër – dhe unë dua që kështu të mbetemi – do të këshilloja që të mos i hyhet asaj rruge.
Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim.
Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh. E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi”, u ka shkruar Rama kandidatëve.
Mbi 15 kandidatë nga forca të ndryshme politike, por kryesisht ato të Partisë Socialiste i janë drejtuar KQZ-së me një kërkesë për pamjet filmike të numërimit të votave preferenciale.
Kandidatët që kanë bërë kërkesë janë Blerina Gjylameti, Etilda Gjonaj, Frrok Gjini dhe Xhemal Qefalia nga rradhët e Partisë Socialiste.
Blerina Gjylameti ishte në një garë të ngushtë me kolegen Olta Xhaçka.
Nga Partia Demokratike kërkesë kanë bërë deputetët Ilir Alimehmeti dhe Aulon Kalaja.
Kujtojmë se Ilir Alimehmeti humbi betejën për mandatin në kryeqytet me një diferencë të ngushtë me demokraten Jorida Tabaku.Kërkesat për pamje filmike të numërimit të votës preferenciale vijnë pas pretendimeve të kandidatëve për deputetë se vota për ta është keqlexuar.
Lini një Përgjigje