
Zyrtarizimi i dorëheqjes së Ermal Dredhës në Vlorë ishte mesazh i koduar për Erion Veliajn, por përballja ligjore për kryebashkiakun e Tiranës mund të kthehet në bumerang për Ramën...
Zyrtarizimi i dorëheqjes së kryebashkiakut të Vlorës, Ermal Dredha, nuk ka ardhur si ‘rrufe në qiell të pastër’. Dhe nuk u la rastësisht të firmoset një ditë para shpalljes së qeverisë së katërt të Edi Ramës.
Ermal Dredha, ka muaj që ia ka lëshuar çelësat Edi Ramës, në shenjë proteste ndaj mosbesimit politik, si refuzim për t’u përballur me lobet e egra të interesave mafioze të Vlorës, që i bënin presion nga lart, por edhe për arsye të tjera.
Dredha, realisht dorëheqjen e ka dhënë një vit më parë, por ka qenë Edi Rama që ja ka pezulluar, për ta zyrtarizuar në “momentin e përshtatshëm?
Dhe ka zgjedhur natën e 10 shtatorit.
Arsyeja është e qartë, ka dashur ta përdorë si lubrifikant për të gëlltitur ‘kockën’ e fortë politike, Erion Veliajn.
I cili, me refuzimin e dorëheqjes e ka sfiduar Edi Ramën, duke e shtyrë në një veprim juridik të njëanshëm, që sipas gjasave mund të sfidohet edhe juridikisht në gjykatën Kushtetuese.
Skenari për të stisur zgjedhje në disa bashki, duke nxitur dorëheqjet e kryetarëve të bashkive të Beratit, Tepelenës dhe Matit, të cilët u zgjodhën deputetë, duket nuk e dhanë efektin e duhur për të nxitur Erion Veliajn të largohet.
Rasti i shtrëngimit të Ermal Dredhës për ta zyrtarizuar dorëheqjen e tij, nuk ishte gjë tjetër veçse një mesazh drejtuar Veliajt, të cilit ia ka shpallur edhe kandidaten për ta zëvendësuar.
Ndërkq, ka bërë të ditur se do ta shkarkojë në këshillin bashkiak. Një akt juridik i pamundur, pasi nuk ka asnjë mundësi që këshilli bashkiak, një organ krejt i ndryshëm juridik i zgjedhur me vota të largojë një pushtet të pavarur nga ai, siç është kryetari i bashkisë, gjithashtu i zgjedhur me vota.
Të vetmin tagër juridik për ta shkarkuar kryebashkiakun e Tiranës e ka qeveria, por këtë duhet ta motivojë pas një procesi ku të tregojë se kemi të bëjmë me shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Përmendja e shkarkimit nga Këshilli Bashkiak prej Edi Ramës nuk është gjë tjetër veçse një bllof i pastër. Në çdo moment që mazhoranca mund ta marrë këtë vendim, është një plus i madh për Erion Veliajn.
Avokatët e të cilit mund ta përdorin në Strasburg si një alibi politike të pushtetit për ta hequr qafe. E një fitore e Veliajt në Strazburg përmbys gjithçka, dhe e kthen lojën nga fillimi.
Ndaj në realitet, ajo që Rama bëri dje në drejtim të kryebashkiakut të burgosur të Tiranës, nuk është gjë tjetër veçse një lojë nervash me Veliajn në distancë. Për t’i bërë të ditur se do të bëjë çdo lëvizje për ta hequr qafe, duke pranuar edhe një “marrëveshje” në distancë, siç është heqja e Ulsi Manjës, me të cilin kryebashkiaku duhet thënë se ka “hyrë në gjak”.
Ministri i ri i Drejtësisë, Besfort Lamallari është njohje më e afërt me Erion Veliajn, pasi është një nga këshilltarët kryesorë socialistë në bashkinë e Tiranës. Çka ka një raport të hershëm me të, kështu Edi Rama ka tentuar t’i jap një sinjal të dyfishtë Erion Veliajt.
Sinjal, të cilin e ka nisur SPAK, duke e çuar dosjen në gjykatë pikërisht një ditë përpara se Edi Rama të zyrtarizojë pasardhësin e kryetarit të burgosur.
Megjithë këtë presion të fortë të koordinuar ndërmjet Edi Ramës dhe SPAK, sërish Erion Veliaj nuk shkarkohet dot, nëse nuk jep dorëheqjen. Një betejë ligjore në këtë rast i prish punë Edi Ramës e jo Veliajt, i cili nuk ka ç’humb. Sado që Rama ka boshatosur edhe dy karrige kryebashkiakësh; Vlorën e Cërrikun që të shtojë numrin e njësive për zgjedhje të parakohshme, që sadopak ta zbusë garën e Tiranës. Por pallatet në kryeqytet janë shumë të larta dhe ato mbi 12 kate nuk ka të drejtë firme Veliaj, por Edi Rama./Pamfleti
Lini një Përgjigje