
Vala ekstreme e të nxehtit që goditi Europën në fund të muajit qershor ka lënë pas një bilanc alarmues. Sipas një përmbledhjeje të të dhënave të kryer nga Agence France-Presse (AFP), të paktën 12 mijë vdekje shtesë janë regjistruar në rreth dhjetë vende europiane gjatë ditëve më të nxehta të muajit.
Të dhënat paraprake tregojnë se vetëm në periudhën 22–28 qershor, rreth 10 mijë vdekje shtesë u regjistruan në Gjermani, Francë, Belgjikë, Spanjë, Holandë, Zvicër dhe Luksemburg, ndërsa në Angli dhe Uells u vlerësuan edhe 2.200 viktima të lidhura me temperaturat e larta.
Ndërkohë, platforma europiane EuroMOMO, e cila monitoron vdekshmërinë në 24 shtete me afro 400 milionë banorë, raporton një bilanc edhe më të lartë, me 14.260 vdekje shtesë, megjithëse thekson se shifrat mbeten ende paraprake.
Ekspertët paralajmërojnë se vala e të nxehtit nuk duhet parë vetëm si një fenomen klimatik, por si një krizë serioze shëndetësore.
"Vera nuk ka mbaruar. Ne kemi mjetet për të parandaluar këto vdekje", deklaroi Hans-Henri Kluge, drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Europën.
Ai shtoi se shumë shtete ende nuk po e trajtojnë siç duhet rrezikun që paraqesin temperaturat ekstreme.
"Shumë qeveri ende e konsiderojnë nxehtësinë si një fenomen meteorologjik dhe jo si një emergjencë shëndetësore", tha eksperti.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe epidemiologu Lasse Festergaard, koordinator i platformës EuroMOMO.
"Për aq sa dimë ne, nuk ka shkaqe të tjera për këtë vdekshmëri të tepërt nga nxehtësia, dhe kjo është tragjike", u shpreh ai.
Megjithatë, ai theksoi se rezultatet janë ende paraprake dhe se nevojiten rreth katër javë për të konsoliduar plotësisht të dhënat.
Gjermania dhe Franca me bilancin më të rëndë
Sipas statistikave zyrtare, Gjermania regjistroi 5.780 vdekje shtesë vetëm gjatë javës së 26-të të vitit, krahasuar me mesataren e katër viteve të mëparshme. Instituti Robert Koch bën të ditur se kjo verë ka shkaktuar më shumë viktima nga i nxehti sesa gjashtë verat e fundit së bashku.
Edhe Franca raportoi mbi 2.000 vdekje shtesë gjatë së njëjtës periudhë.
Në Belgjikë, autoritetet shëndetësore regjistruan 1.747 vdekje shtesë midis 18 qershorit dhe 1 korrikut, duke shënuar nivelin më të lartë të vdekshmërisë gjatë një vale të nxehti në shekullin XXI.
Rritje e vdekshmërisë edhe në vende të tjera
Në Spanjë, sistemi kombëtar i monitorimit të vdekshmërisë i atribuoi 610 vdekje temperaturave të larta, ku pothuajse dy të tretat e viktimave ishin mbi 85 vjeç.
Sipas të dhënave të analizuara nga AFP, gjatë së njëjtës periudhë u regjistruan afro 600 vdekje shtesë në Holandë, rreth 220 në Zvicër dhe 23 në Luksemburg.
Ekspertët paralajmërojnë se, me verën ende në kulm dhe valë të tjera të të nxehtit të mundshme, bilanci i viktimave mund të rritet edhe më tej në javët në vijim.
Lini një Përgjigje