TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Shtator 2025, 13:51

Veliaj në Kushtetuese, Rama nuk pret Gjykatën; njofton KQZ për vakancën në Bashkinë e Tiranës

Shkruar nga Pamfleti

Veliaj në Kushtetuese, Rama nuk pret Gjykatën; njofton KQZ për

Edi Rama nuk harxhon asnjë minutë lidhur me Erion Veliajn. Pasi udhëzoi shkarkimin e tij si Kryebashkiak dhe zyrtarizoi procesin në më pak se 48 orë, Kryeministri ka njoftuar KQZ për vakancën e krijuar në Bashkinë e Tiranës. Në këtë mënyrë Babloku kërkon me çdo kusht zgjedhje në Bashkinë e Tiranës, madje pa pritur as procedurat e ankimit të Erion Veliajt në Kushtetuese.

Kryebashkiaku i shkarkuar iu drejtua Kushtetueses duke e cilësuar procesin si anti-Kushtetues dhe anti-ligjor, ndërsa nga Gjykata Kushtetuese me urgjencë është caktuar relatorja e çështjes.

Duket se i gjithë procesi që është i lidhur me Erion Veliajn po ecën me shpejtësi marramendëse, ku gjithçka duket e dirigjuar me kujdes dhe në sinkron të plotë me lëvizjet e Edi Ramës.

Kështu nisi procesi dhe duket se kështu po mbyllet. Rama nga Asamblea e PS-së, të cilën e mblodhi për të paraqitur ministrat e rinj në 11 shtator, udhëzoi shkarkimin e Erion Veliajt, ndërsa nxitoi të caktonte Ogerta Manastirliun si kandidaten e PS-së për kryebashkiake.

Më pas ishin lëvizje intensive të Ramës në drejtim të këshilltarëve bashkiakë socialist, që i vuri në rresht, për të firmosur kërkesën dhe më pas për të votuar shkarkimin e Veliajt si Kryebashkiak.

Pa humbur kohë, Rama mblodhi qeverinë dhe miratoi vendimin e shkarkimit, ndërsa nxitoi të njoftonte edhe KQZ për vakancën.

Qeveria ka njoftuar KQZ-në për vendimin e 25 shtatorit për të shkarkuar Erion Veliajn nga posti i kryetarit të bashkisë së Tiranës.

Shkresa i është depozituar KQZ-së më datë 25 shtator, ditë kur edhe u vendos shkarkimi, por bëhet publike sot vetëm pak orë pasi Veliaj ka ankimuar vendimin për shkarkim në Gjykatën Kushtetuese.

Veliaj në Kushtetuese, Rama nuk pret Gjykatën; njofton KQZ për

“Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25.09.2025, ju bëjmë me dije se është miratuar vendimi nr. 539, datë 25.9.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z.Erion Veliaj”, thuhet në shkresën që mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.

Nuk dihet nëse pas kësaj shkrese, KQZ do të vijojë procedurat me shpejtësi, ashtu sikundër veproi Edi Rama, apo do të presë se çfarë do të vendosë Gjykata Kushteuese.

 

Lini një Përgjigje