Politike 8 Dhjetor 2023, 13:20

Celibashi injoroi fshehjen e dënimit, 19 deputetë kërkojnë t'i hiqet Kreshnik Hajdarit mandati i kryebashkiakut

Shkruar nga Pamfleti
Celibashi injoroi fshehjen e dënimit, 19 deputetë kërkojnë
Kreshnik Hajdari

Një pjesë e grupit parlamentar demokrat kërkon shkarkimin nga detyra të kryetarit të bashkisë së Kuçovës Kreshnik Hajdari.

Përmes një shkrese zyrtare 19 deputetë të opozitës i kërkojnë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rrëzimin e vendimit të KQZ-së kundër nismës së koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për heqjen e mandatit të kryebashkiakut, pasi sipas tyre Hajdari fshehu një dënim të viteve më parë nga drejtësia greke.

Celibashi injoroi fshehjen e dënimit, 19 deputetë kërkojnë

Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari gjithashtu është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

Kreshnik Hajdarit i është komunikuar akuza, neni 190/2 i K.Penal për falsifikimin e formularëve. Ai është pyetur para prokurorëve dhe pozita e tij vështirësuar me komunikimin e akuzës.

SPAK e thirri Hajdarin pasi Prokuroria, nëpërmjet një shkrese, njoftoi se ai është dënuar në Greqi në vitin 1999, fakt që nuk e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Sipas Prokurorisë, Hajdari rezulton që në 23 qershor të vitit 1999 është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së parë të Janinës për hyrje në territorin grek pa leje.

Nga verifikimet e Prokurorisë, gjithashtu konfirmuar nga ministria e Drejtësisë greke, Kreshnik Hajdari rezulton i bashkëgjykuar i mitur dhe është dënuar me “masa riedukuese e qortimit”.

Sipas drejtësisë greke, i pandehuri në atë kohë me statusin punëtor, ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor. Kjo çështje u shqyrtua një ditë më parë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Tre juristët e koalicionit “Bashkë Fitojnë”, thanë se mjaftonte mos deklarimi në formularin e dekriminalizimit të dëbimit të zotit Hajdari në vitin 1999 nga Greqia për t’i ndërprerë mandatin. Madje ata ngulmuan se ai kishte konsumuar edhe një vepër penale.

Por, në fund, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shpjegoi se KQZ për të tilla raste tashmë e ka një praktikë të konsoliduar, duke vlerësuar se nuk ka një shkak ligjor që kryetarit bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati.

Komisioneri Celibashi vendosi se nuk ka shkak ligjor që kryetarit të Bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati.

kreshnik hajdari 19 deputetë