Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij "Flasim" ka paralajmëruar se ditën e nesërme, bashkë me Taulant Ballën dhe Ulsi Manjën, do të depozitojnë nismën për ndryshimet ligjore që lidhen me kompetencat e gjyqësorit, pas vendimit për pezullimin e ministres Belinda Balluku.
“Dua të ndalem edhe për një sqarim për konkluzionet e mbledhjes së Grupit Parlamentar, pas mos-vendimit të Kushtetueses. Edhe njëherë, nuk është çështja te personi, por te parimi. Te parimi i ndarjes së panegociueshme të pushteteve. Gjykata në ushtrimin e kompetencave të saj ka të drejtë të vendosë masa sigurimi për çdo person nën hetim. Por në të njëjtën kohë ka disa funksione, ku hyn edhe ai i ministrit, paralizohen nëse ministri pezullohet. Pra nëse ti thua që unë pezulloj një ministër, Presidentin, etj, faktikisht ti prodhon një pasojë të menjëhershme të barabartë me shkarkimin.
Sepse nuk është pezulluar thjesht personi, por funksioni. Pikërisht për shkak të funksionit, emërimi apo shkarkimi i ministrit nuk është gjëkundi, në asnjë vend të botës, sepse nuk e ka nxjerrë kush një rast në një vend të botës që kjo kompetencë të jetë e një prokurori apo gjykatësi me një seancë paraprake. Pavarësia e gjyqësorit mbaron aty ku fillon pavarësia e dy pushteteve të tjera, legjislativit dhe ekzekutivit.
Gjithsesi ne do kalojmë përtej rastit konkret dhe të hënën, bashkë me kryetarin e grupit Taulant Balla dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, do të depozitojmë nismën për të adresuar menjëherë boshllëkun në fjalë. Nisma do i paraqitet fillimisht grupit parlamentar dhe do të jetë transparente për opinionin publik”, tha mes të tjerash Rama.
Ndërkohë, Kryeministri paralajmëroi se mazhoranca që ai drejton nuk do të shprehet për kërkesën e SPAK në Kuvend për të marrë autorizimin për një masë të re sigurie arrest me burg/arrest në shtëpi ndaj Ballukut, e marrë e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në disa tendera me vlerë qindromilionë euro.
Sipas kryeministrit, pas pezullimit nga detyra të Ballukut, SPAK “mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit”.
Rama shton më tej se ky qëndrim nuk e prek lirinë e SPAK-ut për të hetuar, por garanton që “pavarësia e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken”.
Gjykata Kushtetuese të premten vendosi të rrëzojë kërkesën e Ramës kundër një vendimi të Gjykatës së Posaçme, GJKKO, që pezullonte nga funksionet administrative Ballukun. Vendimi u mor pas një mbledhje maratonë prej 10 orësh ku gjyqtarët e kësaj gjykate u ndan 4 e 4 në qëndrimet e tyre dhe kërkesa e Ramës u konsiderua e rrëzuar, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së.
Nga ana tjetër, që prej dhjetorit Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka refuzuar të thërrasë Këshillin e Mandateve, organi që vendos për imunitetin e deputetëve, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut.
Lini një Përgjigje