
Duket qartë se rrethi vicioz i Non-Grata’ve ka qenë një objekt i simbolikës së ambasadores, e cila duket se ka prodhuar zhvillime të vrullshme në Shkodër, që nga 14 maji nuk është më një feud politik i Sali Berishës...
Një zhvillim shumë i rëndësishëm politik që nuk është komentuar shumë, është turi verior i ambasadores së SHBA-së Yuri Kim. E cila është në ditët e fundit të misionit të saj në Shqipëri.
Ajo ka zhvilluar një takim në Tropojë, zonë që e ka “rrahur” shumë herë gjatë viteve të fundit, e ku simbolika politike është shumë e fortë…
Sidomos pas braktisjes politike që Tropoja i bëri Sali Berishës më 14 maj, kjo vizitë kishte edhe më shumë simbolin e një sfide të fituar, të cilën duhet thënë e ngriti Berisha si një luftë politike ndaj SHBA e jo Uashingtoni.
Megjithatë, përveç turit të Tropojës, që u pasqyrua gjerësisht në media, ambasadorja Yuri Kim ka zhvilluar edhe një vizitë të rëndësishme në Shkodër, e cila ka mbetur në hije.
E duket qartë se rrethi vicioz i Non-Grata’ve ka qenë një objekt i simbolikës së ambasadores, e cila duket se ka prodhuar zhvillime të vrullshme në Shkodër, që nga 14 maji nuk është më një feud politik i Sali Berishës.
Ambasadorja Yuri Kim, përveç disa takimeve që ajo i ka përgjithësisht përzemër në Shkodër me gazetarë e përfaqësues të artit e kulturës, mësohet se ka pasur një drekë të gjatë pune me Elisa Spiropalin, e cila është drejtuesja politike e PS-së për kryeqendren e veriut.
Dreka që është zhvilluar në një nga lokalet e njohura të qendrës, ka zgjatur dy orë, normalisht aq zgjat një vakt i shoqëruar edhe me diskutime e biseda. Por jehona e saj ka qenë më e gjatë, e më e fortë.
Tom Doshi, mësohet se është tërbuar fare nga ky takim, e ka nisur të flasë më zë të lartë me njerëz që janë ‘telefoni i tij i prishur’, që të tregojë se është shumë i mërzitur e mund të prishë punë.
Doshi, në një intervistë në Top Channel së fundmi, televizion që është konfident, edhe për shkak të lidhjeve të afërta me grupin e pronarëve, dha një intervistë, e cila kishte një qëllim të qartë. E paraqitur natyrisht krejt në mënyrë provinciale, me kolltukët alla mbretërorë të zyrës së Tomës dhe luanin në bronx tek këmbët e tij, Doshi deklaroi se “Benet Beci nuk mund të zgjidhej pa votat e tij”. Një mesazh i qartë, tipik siç di ai për të dhënë se kërkon pjesën e majme të pushtetit të bashkisë.
E këtu festën e Doshit, ja ka prishur ambasadorja Amerikane, e cila siç mësohet ka kërkuar që një person që është Non-Grata nga SHBA të mos ketë hapësirën e një lëvizje të rëndësishme për Shkodrën, e cila votoi kundër një Non Grata tjetër si Sali Berisha.
Një shpërblim i Tomës, do të ishte si ai proverbi i famshëm kur nusja ‘urinon në kalë’ ndërsa po shkon te shtëpia e burrit.
Nuk ka kuptim që ndërsa Shkodra votoi politikisht, edhe sipas kërkesës së Edi Ramës, që të refuzohet një Non Grata nga të djathtit, të shpërblejë një tjetër Non Grata të SHBA nga të majtët.
Kjo e ka xhindosur fort Tom Doshin, e po luan gurët që të përfitojë ç’është e mundur. Për 10 vjet të pushtetit të Edi Ramës, Doshi ka pasur kontrollin e pushtetit ekzekutiv të Shkodrës që nga kadastra e tek të gjitha drejtoritë e tjera. Këtë radhë, duket se SHBA nuk do ta tolerojë, e ndaj dreka e së djelës ka qenë vetëm fillimi. / Pamfleti