Politike25 Maj 2023, 14:32

Yuri Kim takon kryetaren e Kushtetueses: Gjykatat të funksionojnë të pavarura, vetëm kështu shkohet në BE

Shkruar nga Pamfleti
Yuri Kim takon kryetaren e Kushtetueses: Gjykatat të funksionojnë
Ambasadorja e SHBA, në Tiranë, Yuri Kim

Ambasadorja e SHBA, në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

Kim thotë se SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm reformën në drejtësi në Shqipëri në mënyrë që gjykatat të funksionojnë të pavarura dhe me integritet.

Ajo gjithashtu ka bërë thirrje që kjo gjykatë të funksionojë e pavaruar dhe me integritet, që vendi të shkojë në rrugën e integrimit.

“Sot takova Holta Zaçajn për ta uruar për zgjedhjen në krye të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm reformën në drejtësi në mënyrë që gjykatat të funksionojnë të pavarura dhe me integritet. Kjo është kërkesa e drejtë e qytetarëve, e nevojshme për të tërhequr më shumë investime dhe e nevojshme për anëtarësimin në BE. I urojmë gjyqtares Zaçaj dhe të gjithë gjyqtarëve të tjerë mençuri dhe sukses në përmbushjen e detyrës.”, shkruan Kim.

Holta Zaçaj u zgjodh kryetare e Kushtetueses më 20 shkurt 2023. Procesi për përzgjedhjen e kryetares së Gjykatës Kushtetuese filloi më 2 shkurt, kur në përmbyllje të afatit të aplikimeve shprehën interesin për këtë funksion gjyqtaret Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj.

Zaçaj zëvendësoi gjyqtaren Vitore Tusha, së cilës i kishte përfunduar mandati që në vitin 2017.

Më pare, Zaçaj ka qenë “avokate e specializuar në të drejtën familjare, mbrojtjen e fëmijëve dhe transaksioneve me pasuri të patundshme”. Po ashtu ajo ka qenë anëtare e Komitetit për Shërbimet e Mbrojtësit Publik-Divizioni për fëmijët dhe familjen, në shtetin e Massachusetss në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

yuri kim