Politike12 Shkurt 2024, 11:44

Zgjedhje të parakohshme apo frikë nga SPAK dhe disfata në 2025? Pas kritikave të Ramës, Çuçi mobilizon deputetët: Jemi në fushatë!

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhje të parakohshme apo frikë nga SPAK dhe disfata në 2025?
Rama-Çuçi

Jemi 1 vit para zgjedhjeve zyrtare dhe nisja e fushatës tani ngre dyshime. Rama ka përballë një opozitë të shpartalluar, pse trembet?

Partia Socialiste po përgatitet për zgjedhje. Dje ishte kreu i saj, Edi Rama, ai që dha udhëzime në Asamble dhe shpërtheu në kritika mbi organizimin në bazë. Sot ka qenë Bledi Çuçi që e ka deklaruar hapur se PS po përgatitet për zgjedhje.

Bledi Çuçi mblodhi sot Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste për të diskutuar mbi axhendën e javës së re në Kuvend. Në fjalën drejtuar deputetëve të mazhorancës, fillimisht ai rikujtoi edhe njëherë porositë e kryetarit të partisë në Asamblenë e mbajtur një ditë më parë.

"Duhet një prezencë e shtuar fizike në terren sipas zonave tuaja. Konsiderojeni këtë si një periudhë fushate duke nisur që nga dje. Është shumë e rëndësishme që procesin zgjedhor brenda partisë ta ndjekim personalisht. Ka nevojë për ritëm të shtuar për të kapur afatet", u shpreh Çuçi.

Lidhur me seancën e ditës së enjte, Çuçi foli për projektligjet që janë në rendin e ditës për t'u votuar. Bëhet fjalë për Projektligjin “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore” dhe Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes në lidhje me programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore".

Por fakti që PS nis fushatën, shtrohet pyetja: Rama po mendon zgjedhje të parakohshme apo i trembet disfatës në zgjedhjet e 2025? Jemi 1 vit para zgjedhjeve zyrtare dhe nisja e fushatës tani ngre dyshime. Rama ka përballë një opozitë të shpartalluar, pse i trembet një disfate?

Mos vallë është halli te pakënaqësia në popull. Pushteti të vel dhe PS në këtë mandat gëlon nga korrupsioni. SPAK ka hyrë në lojë dhe po arreston kryebashkiakë dhe ministra. Edhe pse Babloku e shet si sukses, populli e merr si sinjal se qeveria po i vjedh taksat. Pra duket se e gjithë kjo lojë fushate ka lidhje me SPAK.

Si duket Rama do hedhë në terren patronazhistët që t’i mbushin mendjen popullit që nuk vjedhin. /Pamfleti